O’Connell: Vendimet merrni në bazë të fakteve

3 Gusht 2016 - 11:14      

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Connell, ditën kur po mbahet debati për demarkacionin me Malin e Zi, ka këshilluar udhëheqësit politik të Kosovës se vendimet duhet të merren në bazë të fakteve dhe jo në bazë të propagandave të ndryshme.

“Si mik i Kosovës, unë kam disa këshilla. Ndoshta unë jam idealist, mirëpo unë besoj që vendimet politike duhet të merren në bazë të fakteve, jo në bazë të thashethemeve, propagandës, ose asaj që ju dëshironi të jetë e vërtetë. Nacionalizmi mund të jetë joshës, posaçërisht atëherë kur ndjejmë se kombi po rrezikohet dhe ne duhet ta mbrojmë atë”, ka shkruar O’Connell në Facebook.

“Problemi është që edhe nëse nuk ka rrezik, nacionalizmi gjithmonë e krijon një, ose armiq nga jashtë ose nga brenda. Ju e dini këtë, ashtu si e di edhe unë; ne të gjithë e kemi parë këtë shumë herë. Por në realitet, Kosova ka shumë miq. Partnerët e Kosovës dëshirojnë ta shohin Kosovën duke arritur sukses si një shtet sovran, me besim në vete dhe në marrëdhëniet me fqinjtë dhe partnerët e saj: interesi juaj është interesi ynë. Ne nuk jemi duke ju imponuar juve asgjë: dhe padyshim nuk jemi duke kërkuar nga Kosova që të falë territorin e saj”, ka shtuar ai.

Ai ka shkruar edhe për procesin e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi, për të cilin ka thënë se është çështje bilaterale mes dyja vendeve. Ai ka përsëritur qëndrimin se Kosova është shtet sovran dhe kufijtë e saj janë të përcaktuara në Planin e Ahtisaarit, bazuar në kufijtë e vjetër të Kosovës.

“Procesi i demarkacionit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi është çështje bilaterale. Kosova është shtet sovran; ju vendosni për veten tuaj. Por unë besoj fuqishëm që vendimi juaj duhet të merret në bazë të fakteve. Kufijtë e Kosovës janë të përcaktuar në Planin e Ahtisaarit, bazuar në kufijtë e vjetër të Kosovës. Ajo ka qenë baza për pavarësinë e Kosovës, dhe njohjen e saj, si nga Mbretëria e Bashkuar ashtu dhe nga partnerët më të qëndrueshëm ndërkombëtarë, në ditën e nesërme. Asgjë nuk ka ndryshuar që nga ajo ditë historike”, ka shkruar ai.

“Është ide e mirë të mbahet diskutim publik sot, në mënyrë që deputetët dhe qytetarët të informohen në detaje, dhe realisht, mbi këtë proces. Unë e mirëpres këtë iniciativë. Një qytetari e mirë-informuar dhe një Parlament i fuqizuar janë themelet e demokracisë”.

“Vendimi i Kosovës në lidhje me kufirin do të thotë shumë, për besimin e Kosovës në miqtë e saj; për rolin e fakteve në debatin politik dhe në vendimmarrjen e Kosovës; për marrëdhëniet e Kosovës me fqinjtë, të cilët e kanë njohur pavarësinë tuaj atëherë kur ka qenë e vështirë për t’a njohur. Ky është një vendim i rëndësishëm. Dhe ju duhet t’a merrni këtë vendim vetë”, ka shkruar në fund ai.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...