Heshtin personazhet e përgjimeve [video]

2 Gusht 2016 - 19:02      

Kanë vazhduar reagimet pas publikimit në media të përgjimeve, ku protagonistë janë zyrtarët e lartë shtetërorë, raporton KTV.

Lëvizja ‘Vetëvendosje’ i ka quajtur koka të krimit Hashim Thaçin e Kadri Veselin, ndërkohë Adem Grabovcin dorë të zgjatur të tyre. Kanë kërkuar që të hetohet rasti, pavarësisht se nuk u besojnë organeve të drejtësisë që thonë se janë pikërisht të kapur nga kjo strukturë. ‘Vetëvendosje’ thotë se këta njerëz nga pushteti duhet t’i rrëzojë populli.

Asnjë fjalë ende nuk e kanë thënë as shefi i shtetit, e as ai i Kuvendit të Kosovës, ndonëse Hashim Thaçi e Kadri Veseli, janë pjesë e përgjimeve të publikuara një ditë më parë.

As shefi i deputetëve të PDK-së, Adem Grabovci, si personazhi kryesor në përgjime, nuk ka qenë më i kontaktueshëm, e një ditë më herët e kishte quajtur si tendencë për eliminim politik.

Kryeprokurori ka deklaruar se do të analizohen përgjimet dhe nëse ka elemente të veprës penale do të nisin hetimet, derisa ka paralajmëruar edhe një konferencë shtypi për të mërkurën.
Por, lëvizja ‘Vetëvendosje’ nuk po u beson as organeve të drejtësisë, pavarësisht që u bënë thirrje që të hetojnë rastin.
Glauk Konjufca e Albulena Haxhiu i kanë quajtur koka të krimit Hashim Thaçin e Kadri Veselin.

Nga skema kriminale nuk e kanë përjashtuar as LDK-në e Isa Mustafën.

Ndërkohë, deputetja Albulena Haxhiu, thotë se tash e di pse Prokuroria e Gjykatat i vërsulen opozitës dhe asnjëherë kriminelëve.

Ajo ka thënë se kjo klasë politike që ka kapur shtetin duhet të rrëzohet nga populli.

Ndërkohë, Glauk Konjufca thotë se pikërisht si pasojë e këtyre njerëzve të kriminalizuar, të shantazhuar, Kosovës i erdhën marrëveshjet e dëmshme sikurse ajo për asociacionin e demarkacionin, prandaj këto herët a vonë duhet të rishqyrtohen.

Edhe analisti Imer Mushkolaj ka kërkuar nga prokuroria që të merret seriozisht me rastin.

Kjo është hera e dytë që mediat publikojnë përgjimet e zyrtarëve të lartë të shtetit.

Katër vjet më parë ishin zbardhur në media përgjimet që njihen si afera “Pronto”, ku protagonisti kryesor edhe atëherë ishte Adem Grabovci, që Hashim Thaçi atë kohë lider i PDK-së e kryeministër, e quante “shef i shefave”.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...