Në Plavë sërish valëviti flamuri kombëtar mbi varrin e Jakup Ferrit

2 Gusht 2016 - 15:50      

Plavë, 2 gusht - Sa herë që përmendet Plavë-Gucia mendja të shkon te të mëdhenjtë e kësaj krahine, si Ali Pashë Gucia e Jakup Ferri, të cilët me angazhimin e tyre kombëtar u bënë pjesë e historisë së lavdishme të atdheut.

Pushtimet dhe okupimet bënë të vetën dhe lanë gjurmë të rënda në fatet e kësaj treve shqiptare. Përndjekjet, asimilimi dhe migrimet e dhunshme bënë që sot Plavë-Gucia të ketë një pamje tjetër.

Plavë-Gucia dikur arenë luftërash për mbrojtjen e fatit te atdheut dhe vend krenarie kombëtare, po tkurret gjithnjë e më shumë për shkak se qenia shqiptare në 100 vjeteshin e fundit gjithnjë e ma shumë po rrezikohet, kështu që nga 82% shqiptarë, sa ishin në vitin 1912, sot kanë mbetur vetëm 25%.

Por edhe pse u bë dhe bëhet shumë nga qarqe të caktuara antishqiptare që Plavë- Gucia t- gjunjëzohet, kjo trevë ka bijtë e vet të cilët nuk harrojnë historinë dhe dinë t’i dalin zot asaj treve sa herë që atë e kërkon nevoja.

I tillë është edhe veprimi i trashëgimtarëve të familjes emblematike të Plavë- Gucisë, se familjes së Jakup Ferrit, te cilët me 1 gusht në Plavë nderuan Heroin tonë Kombëtar, por njëkohësisht Ferrajt me këtë veprim dërguan një mesazh të qartë të gjithë atyre që promovojnë asimilimin se i madhi i kombit Jakup Ferri lindi dhe vdiq shqiptar dhe i tillë do të mbetet sa të jetë jeta e sa të ketë shqiptarë.

Edhe përkundër pengesave dhe opstrukcioneve të shumta që u tentuan të bëhen kundër kësaj nisme të Ferrajve dhe atdhetarëve të devotshëm të Plavë-Gucisë, më në fund po si në qëndresën e legjendarit, Jakup Ferrit, guri i varrit të tij u mbulua me flamurin e kombit, flamur ky për të cilin u flijua edhe vetë ai.

Në Plavë kishin ardhur Ferrajt që sot jetojnë në Kosovë si, akademik Rexhep Ferri, Prof.Dr. Naser Ferri, mr. Avdi Ferri dhe mr.Arben Ferri, që të gjithë me pjesëtarët e familjeve të tyre që sot jetojnë dhe veprojnë në Kosove. Në këtë ceremoni morën pjesë dhe me prezencën e tyre edhe kryetari i komunës se Plavës, Orhan Shahmanoviq, dhe kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, kryetari i degës së LD, dega Plavë-Guci, Bujar Hasangjekaj, si dhe aktivistë dhe atdhetarë të dalluar të çështjes kombëtare dhe një numër simbolik i qytetarëve.

Po ashtu në këtë ngjarje historike ishin prezentë edhe pjesëtarët e familjes Muhaj nga Luhari i Shkodrës, prej nga e ka origjinpën familja Ferri dhe ku kishte jetuar kjo familje para ardhjes në Plavë.
Kjo ngjarje ishte hap i parë në procesin e përgatitjes së terrenit për vendosjen e një monumenti dinjitoz në të ardhmen, ashtu siç e meriton ky atdhetar dhe hero.

Ai ishte një ndër nismëtarët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (e cila për herë të parë pas Kuvendit të Lezhës i bashkoi shqiptarët e të gjitha trojeve etnike), nën komandën e të cilit në vitin 1879 vullnetarët shqiptarë dobët të armatosur vetëm me forca të veta e pa kurrfarë ndihmash nga jashtë arritën fitoren më madhështore në historinë e popullit shqiptar kundër një ushtrie të rregullt të armatosur me armë e pajisje më moderne ushtarake të kohës.

Shënimi i varrit i Jakup Ferrit dhe valëvitja e flamurit kombëtar në Plavë dëshmon që Plavë-Gucia, përkundër të gjithave, ende frymojnë shqip.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...