Merr vizën programin Fullbright, kritikohet punësimi me lidhje në arsim

2 Gusht 2016 - 13:07      

Komisioni parlamentar për Arsim sot shqyrtoi dhe miratoi Projektligjin për ratifikimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe Ministrisë së Arsimit, programi Fullbright i shkëmbimit akademik.

Me disa ndryshime të këtij projektligji kjo pikë u miratua dhe sipas kryetarit Nait Hasani, të enjten në seancën e radhës do të diskutohet.

Hasani duke folur për projektligjin në fjalë ka dhënë disa vërejtje për punësimet me të njohshëm nëpër shkolla dhe nëpër ministri të ndryshme, transmeton KP. Ai dhe kolegët e tij në Komision u pajtuan që ky projektligj të vlejë për të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës, e jo edhe për autoritetet tjera kompetente që janë përgjegjëse në fushën e arsimit të lartë. Ky ndryshim u bë në nenin 2 të fushëveprimit të këtij projektligji.

“Problemi është se kemi pranuar njerëz me të njohshëm nëpër shkolla dhe nëpër Ministri dhe i kemi këto defekte.... Ne se kemi bërë, por neve na qesin në dilema. Prandaj, unë po kërkoi...ministri ta arsyeton. Unë jam për me heqë (me ndryshuar nenin 2) dhe autoritet tjera”, theksoi Hasani.

Deputeti nga radhët e VV-së, Ismail Kurteshi, që është edhe anëtar i këtij Komisioni, dha disa vërejtje në këtë projektligj dhe kërkoi nga anëtarët tjerë të Komisionit që të merren parasysh, e jo vetëm të konsiderojnë se kjo punë, siç tha ai,është e kryer. Ai tha se nuk janë për ta penguar këtë projektligj, porse duhet kërkuar më e mira e mundshme, sepse është në interes të vendit.

“Mendoj se ne jemi këtu për me i dhënë vërtetje sugjerimet dhe mendimet tona. Nëse ne kemi ardhur vetëm me konstatuar se kjo është çështje e kryer ,nuk mendoj se ka pasur nevojë me u takuar Komisioni. Është detyrë e jona me shqyrtuar. Në fund të fundit unë nuk jam që patjetër kjo të pengohet nga një sugjerim i yni, por nëse sugjerimet vlejnë që ky memorandum të jetë pak edhe më i mirë se që është bërë, dhe kjo është punë e jona. Nuk mendoj se... u kry kjo punë dhe le të shkoj. Ne duhet më i dhënë sugjerimet tona dhe nëse kjo nuk lëvizë le të dihet se nuk lëvizë. Kjo është në interes të vendit”, tha Kurteshi.

Në mbledhje mori pjesë edhe sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, si duket me presonin e tij të votohet ky projektligj që të shqyrtohet në seancën e së enjtes në kuvend. Ky i fundit nuk është zakonisht prezent nëpër mbledhje.

Komisioni shqyrtoi edhe Projektligjin për sponsorizime dhe donacione në fushën e kulturës rinisë dhe sportit, por nuk e miratoi.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...