Ministria e Financave i gëzohet raportit të DASH-it për transparencë fiskale

1 Gusht 2016 - 10:19      

Ministria e Financave përmes një njoftimi për media thotë se e vlerëson lartë raportin e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve të vitit 2016 lidhur me transparencën fiskale në Kosovë, i cili përshkruan kërkesat minimale për sigurimin e transparencës fiskale të shteteve, që lidhen në veçanti me përgatitjen dhe publikimin e dokumenteve kyçe të buxhetit në mënyrë të plotë dhe të besueshme dhe të qasshme për publikun, siç është propozim buxheti, buxheti vjetor i miratuar, raporti vjetor i ekzekutimit të buxhetit, raportet e rregullta të shpenzimeve etj.

“Po ashtu, raporti i borxhit publik i vendit është në dispozicion për qytetarët dhe jep informata të plota dhe të besueshme, transparencën në lidhjen e kontratave publike dhe lëshimin e licencave për shfrytëzimin e resurseve natyrore, ekzistencën dhe funksionalitetin e një autoriteti suprem të auditimit të pavarur dhe bërjen publike të auditimeve të tilla. Si e tillë, transparenca fiskale është element kritik për menaxhim efektiv të financave publike dhe ndihmon në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve dhe bizneseve karshi shtetit. Transparenca fiskale fuqizon llogaridhënien e Qeverisë duke ofruar një dritare të mundësive për qytetarë për të parë nga afër mënyrën e mbledhjes dhe shfrytëzimit të buxhetit të shtetit. Në këtë mënyrë, debati publik është më i informuar dhe bazuar në të dhëna të besueshme”, thuhet në njoftimin e MF-së.

Departamenti i Shtetit i SHBA-ve, në raportin e vitit 2016, vlerëson se Kosova ka përmbushur kriteret për transparencë fiskale për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2015, thuhet në njoftim.
“Të dhënat që ka përdorur Departamenti i Shtetit janë nga shërbimet diplomatike dhe konsullore, nga shoqëria civile, nga organizatat ndërkombëtare etj. Ky vlerësim pozitiv reflekton suksesin e plotë të Qeverisë së Kosovës në rritjen e transparencës buxhetore dhe llogaridhënien. Diskutimi i gjerë i buxhetit me të gjithë akterët e involvuar, pastaj raportimi çdo muaj në Qeveri për të hyrat dhe shpenzimet, transparenca në prokurimin publik, zbatimi i një politike strikte të kursimeve dhe reformat e tjera, kanë rritur besueshmërinë e qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë karshi financave publike”, është thënë në njoftim. “Kjo ka rezultuar me të hyra tatimore dukshëm më të mëdha se në vitin 2014, përmbushje të kritereve të programit të FMN-së, besueshmëri nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe bankat zhvillimore, duke pasur qasje në kredi të buta tek qeveritë e vendeve të BE-së dhe institucionet financiare ndërkombëtare, në nivele të pakrahasueshme më parë”.

Sipas Ministrisë së Financave, ky sukses, i mundëson Kosovës të ketë qasje në “Fondin Inovativ për Transparencë Fiskale” të Departamentit të Shtetit për 2016, ku mund të sigurohen fonde për të rritur kapacitetet e Qeverisë për ekzekutim të qëndrueshëm, të besueshëm dhe transparent të buxhetit, rritjen e qasjes për qytetarët në shpenzimet publike dhe programet e të hyrave si dhe rritjen e aftësisë së qytetarëve për të avokuar për çështje specifike të cilat lidhen me buxhetin e shtetit.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...