LDK: Shpend Ahmeti po luan rolin e zëdhënësit të “Beer Fest”-it

31 Korrik 2016 - 18:41      

Lidhja Demokratike e Kosovës, nëpërmes një komunikate për medie, ka shprehur shqetësimin e saj për kaosin e fundit në kryeqytet gjatë festës së birrës. E kryefjalë e kësaj komunikate është kryetari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, i cili nga LDK konsiderohet si zëdhënës i “Beer Fest”.

“Fillimisht, LDK shpreh shqetësimin lidhur me lëshimet rreth organizmit të Beer Fest-it, veçmas për papërgjegjësinë politike dhe paaftësinë menaxheriale të kryetarit të Prishtinës, z. Shpend Ahmeti, i cili më shumë po luan rolin e zëdhënësit të organizatorit të Beer Fest, për të cilin qytetarët e Prishtinës, nuk janë të informuar se kush është dhe çfarë aranzhmanesh kanë së bashku”, thuhet nga LDK, teksa shton se organizimi ishte nën çdo nivel.

“...ku i shitej alkool edhe 13 vjeçarëve, nuk ishte ndërmarrë asnjë masë sigurie, e shumë lëshime të tjera, të cilat bënë që ajo të shndërrohej në kaos me 50 të lënduar”.

LDK përmend edhe anulimin e koncertit tradicional për nder të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bashkë me një sërë ngjarje, që sipas tyre ose janë anuluar ose kanë dështuar. E kjo sipas tyre po ndodh prej kur në krye të Prishtinës është Shpend Ahmeti. Por sheshet e Prishtinës, sipas LDK-së, janë mbushur me diçka tjetër.

“Në vend të tyre, sheshet e Prishtinës, jo rrallë, janë mbushur me protestues të dhunshëm që kanë hedhur molotovë mbi policë, institucionet publik dhe shtëpitë private”, thuhet nga LDK, që përmend edhe një rast në lagjen Dodona, ku është shembur asfalti i ndërtuar, gjithmonë sipas LDK-së, vetëm një vit më parë nga Komuna dhe ende nuk janë marrë masat adekuate për të parandaluar ndonjë tragjedi.

Partia e drejtuar nga kryeministri Mustafa i ka kujtuar Ahmetit kohën kur drejtonte një kafiteri në Prishtinë.

“Shpend Ahmeti po e drejton Prishtinën si dikur lokalin Filikaqa, duke u kujdesur vetëm për klientët e tij, e duke mos pasur asnjë fije konsiderate për jetën e qytetarëve të Prishtinës”.

Në fund LDK ka një lutje për kryetarin Shpend Ahmeti dhe nënkryetarin Dardan Sejdiu.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkon nga z. Ahmeti dhe nënkryetari i tij që së paku në fund të mandatit të tyre të kthejnë sytë nga qytetarët, t’i trajtojnë problemet e tyre, e jo të vazhdojnë të jenë vegël e partisë së tyre me qëllim të dëmtimit të interesit të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës”, përfundon komunikata e LDK-së.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...