
29 Korrik 2016 - 22:29
Në lokacionin e tretë të gërmimeve, prapa Rektoratit të UP-së, teksa po gërmohej një qytetar i Prishtinës është afruar aty dhe ka folur për “Kohën Ditore”, duke treguar se pse nuk mund të ketë eshtra të personave të zhdukur në atë lokacion, transmeton Koha.net.
Muharrem Rrahmani nga Prishtina, ish-punëtor i ndërmarrjes publike “Ramiz Sadiku”, pretendon se gërmimet në pikën e tretë janë bërë në vend të gabuar. Ai ka thënë se në pjesën ku janë zhvilluar gërmimet mbrapa Rektoratit të Universitetit të Prishtinës është e pamundur të ketë mbetje mortore pasi, sipas tij, disa vjet para luftës ka qenë vetë ai me disa punëtorë të tjerë të cilët i kanë shtruar ato pllaka.
“Ta kisha ditë në fillim kur kanë nisë gërmimet prapa Rektoratit do t’u thosha se ky vend është plotësisht i gabuar. Unë kam qenë punëtor i ndërmarrjes publike ‘Ramiz Sadiku’ dhe diku në vitin 1996 vetë i kam shtruar këto pllaka, si mund të pretendohet që serbët e paskan largu betonin dhe i kanë varrosur njerëzit. Mund të jetë vend i dyshuar diku më poshtë, por këtu ndër pllaka ku janë zhvilluar gërmimet është pjesë krejtësisht e gabuar”, ka thënë ai për gazetën.
Ai ka theksuar se këtë gjë ia ka thënë edhe ekipit punues në këto gërmime, mirëpo fjalët e tij nuk janë marrë parasysh me arsyetimin se gërmimet tashmë kanë përfunduar.
Gazeta ka tentuar të kontaktojë edhe më zyrtarë nga Prokuroria Speciale e Kosovës për të marrë përgjigje nëse janë në dijeni për këtë çështje, mirëpo kontakti ka qenë i pamundur. Ndërsa zyrtarët e pranishëm në vendin e gërmimeve nuk kanë pranuar të flasin me media.
Gërmimet në hapësirën e Universitetit të Prishtinës filluan me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës pas dyshimeve të ngritura nga disa dëshmitarë që pretendonin se në këtë lokacion janë varrosur trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.
Më 13 dhe 14 korrik ishin verifikuar dy pikat e dyshuara tek kisha ortodokse serbe “Sveti Nikola”, kurse pas ndërprerjes dyjavore me arsyetimin se mund të kenë probleme infrastrukturore, punimet vazhduan edhe për dy ditë radhazi në pjesën tjetër mbrapa Rektoratit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...