Kina nis hetime për Qeverinë shqiptare, dyshime për korrupsion me Rrugën e Arbrit

10 Mars 2016 - 09:58      

Nga burime diplomatike mësojmë se diplomatë të lartë kinezë kanë njoftuar Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, se Kina ka nisur një hetim për korrupsion për “Rrugën e Arbrit”, shkruan në faqen e tij në rrjetet sociale ish-kryeministri Sali Berisha.

Kjo do të thotë, që Shqipëria është në listën e zezë të Kinës për nivelin e lartë të korrupsionit. Ajo është kapur ne tentativë për të vjedhur fondet kineze dhe vështirë se mund të përfitojë financime nga Kina, ndërkohë që të gjitha vendet e rajonit kanë përfituar me qindra milionë euro investime kineze. Qeveria shqiptare po e fsheh këtë fakt, deklaron ish-Kryeministri.

Në vijim Berisha shpjegon investimin kinez në rrugën e Arbrit dhe arsyet se pse nuk po vijohet me ndërtimin e kësaj rruge.

Nën okelion “Raportuesi shqiptar i korrupsionit damkos Ramen dhe sivllaun Kokedhima per afera te pista”, Berisha hedh dritë mbi një nga investimet e premtuara të qeverisë Rama i cili nuk po vijon pavarësisht se ka qënë në axhendën diplomatike të Kryeministrit Rama në dy takime që ky ka zhvilluar me Kryeministrin e Kinës.

“Projekti i “Rrugës së Arbërit” është bërë nga një studjo shqiptare mbi 10 vite më parë. Deri më tani janë ndërtuar gjatë qeverisë Berisha 37km. Ka mbetur pa ndërtuar segmenti më i vështirë i saj 26,8 km, me gjerësi 7,5m, një tunel 2,6 km në Murriz (i ngjashëm me një nga tunelet e Krrabës), një tunel 560m në Gurin e Bardhë dhe disa ura. Kosto e këtij segmenti sipas eksperteve duhet të jetë nga 80 deri 100 milionë euro. Bechtel ka ofruar ta ndërtojë këtë segment për 120 milionë euro, por Edi Rama i ka dhënë urdhër Edmond Haxhinastos, që të mos e lejojë në asnjë mënyrë më në Shqipëri Bechtelin.

Me ardhjen në pushtet në takimin e parë që Edi Rama pati me kompaninë kineze CSCEC (http://english.cscec.com/) dhe në prezencë të diplomatëve kinezë, ju prezantoi deputetin Koço Kokëdhima dhe ju tha shprehimisht kinezëve: “KY JAM UNË”. Natyrisht “socialisti” Koço nuk e pati fare problem që të bënte një ujdi të shpejtë nënkontraktimi me kinezët, duke bërë nënkontraktor të tyre biznesmenin D.T. Qëllimi i dhënies “me konçesion” dhe paraqitja si një ofertë e pakërkuar u bë thjeshtë që të mos bënin transparent koston e ndërtimit.

Po ku qëndron problemi më serioz me “Rrugën e Arbërit”?

Qëndron tek formula “innovative” e financimit (e vjedhjes) “Koncesion me garanci trafiku”. Që do të thotë që “në se në “Rrugën e Arbërit” nuk kalojnë X numër makinash në vit, qeveria Shqiptare do të paguajë diferencën e trafikut të munguar”. Sipas standarteve europiane, në një rrugë me 2 korsi prej 27 km (ndërtuar me kosto mesatare) do të duhen të kalojnë 7’000 makina në ditë, që ajo të jetë rentabël. Sa makina mendoni që mund të kalojnë në “Rrugën e Arbërit”? Në “Rrugën e Kombit” kalojnë rreth 4’000 makina në ditë. Pra nuk do shumë përllogaritje të kuptohet që “Garancia e Trafikut”, që do të garantojë të paguajë Qeveria Shqiptare është thjeshtë një “Këst Kredie i Fshehtë”.

Atëherë përse Qeveria Shqiptare vazhdon të zbatojë një skemë vjedhjeje?

Pse nuk ndiqet procedurë tenderimi për ndërtimin e 2 segmenteve të “Rrugës së Arbërit”, deri sa kjo është një kredi e pastër, që do të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë?

Në se thonë që është një propozim kinez i pakërkuar, gënjejnë. Ky është projekt i Qeverisë Shqiptare. Në se thonë se firma CSCEC e financon vetë, gënjejnë. Gjithë investimet kineze me kredi të buta në 16 vendet e Europës Qëndrore e Lindore i financon China Exim Bank (http://english.eximbank.gov.cn/en/), që jua jep qeverive me kusht që përfitues të jenë firma kineze. Në çdo vend që kjo bankë ka financuar të tilla projekte, ato kanë kaluar në procese tenderimi nga qeveritë respektive. Evitimi nga Qeveria Shqiptare i procedurave të tenderimit bëhet me të vetmin qëllim, që të mos ketë transparencë për koston e fryrë të ndërtimit të rrugës, që sipas ofertes se firmes kineze (që përfshin kostot e larta të nënkontraktorit të Kokëdhimës) është 360 milionë euro për një distancë rruge 26km, aq sa nga Tirana në Dajt !!! Kjo rrugë s’mund të kushtojë kurrsesi më shumë se 100 milionë euro (përfshi bakshishet standade).

Të gjitha veprimet e deritanishme të Qeverisë Shqiptare kanë kulmuar me “Ligjin per një procedurë të veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës, me objekt ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e “Rrugës së Arbrit”, ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë kineze “China State Construction Company”.

Me këtë ligj Qeveria don të mbulojnë një kredi të fshehtë, që po merr nga Exim Bank, që sipas gjithë gjasave do të përfundojë në pjesën më të madhe në xhepat e Kokëdhimës dhe në dëmin tonë si shtetas. Kjo do të rrënojë edhe më tepër krizën ekonomike të Shqipërisë. Prandaj ne si qytetarë kemi të drejtë të informohemi dhe të bëhet çdo gjë transparente dhe sipas Ligjit “Për Prokurimin Publik” dhe të mos stisen ligje për të përligjur veprime të paligjshme.

Pra sipas gjithë gjasave ky është prologu i një vjedhjeje tjetër “në emër të kombit”, vjedhje e financimeve kineze të “Rrugës së Arbërit” me ekzekutor primar tutorin e Edi Ramës – Koço Kokëdhimën.

Në shtator 2015 China Exim Bank e refuzoi përfundimisht financimin e “Rrugës së Arbërit”, pasi e klasifikoi si një projekt superkorruptiv dhe me kosto shumë të fryra. Këtë vendim të Exim Bank e amplifikoi edhe takimi sekret i ministrit Arben Ahmetaj (ekzekutorit të punëve të pista të qeverisë Rama), binzesmenit D.T. (ortaku i Koço Kokëdhimës) dhe përfaqësuesve të CSCEC dhe Exim Bank në Ohër të Maqedonisë, ku shërbime të specializuara i filmuan me zë e figurë në tentativë për të korruptuar zyrtarët kinezë. Koço nuk vajti se nuk di asnjë gjuhë të huaj, megjithëse e shoqja tani ka filluar kinezçen me qëllim që Koço të flasë direkt pa ndërmjetësa me kinezët.

Duke humbur mbështetjen e bankave kineze, CSCEC dorëzoi në fund të tetorit një propozim me kosto edhe më të fryrë se më parë, pasi mendon ta vetëfinancoje. Në këtë rast sipas rregullave të shtetit kinez, ndërmarrjet shtetërore kineze nuk lejohet të bëjnë asnjë financim me paratë e tyre, në se nuk sigurojnë një IRR mbi 13%. Që domethënë se CSCEC duhet ta vetëshlyejë (plus fitimin) “Rrugën e Arbërit” brenda 8 vitesh. Kjo e ka bërë të papërballueshme këtë ofertë për qeverinë shqiptare.

Për zgjidhjen e këtij ngërçi, në mesin e janarit 2016, kumbari dhe nënkontraktori kryesor i “Rrugës së Arbërit”, ai që i ka fryrë realisht kostot e saj, Koço Kokëdhima vizitoi kompaninë kineze në Pekin, por nuk arriti dot kompromis me kinezët. Të dy palët: Qeveria Shqiptare dhe CSCEC po bëjnë lojë nervash dhe pazare me njëri-tjetrin, të cilat sigurisht mund t’i paguajnë shumë shtrenjtë shqiptarët.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...