Foto: AFP

Trump ndryshon politikën ndaj Ballkanit, s’e inkurajon Serbinë të anëtarësohet në BE

13 Shkurt 2017 - 23:13      

Mesazhi vjetor i SHBA-ve për Serbinë për të shënuar ditën e saj kombëtare nuk ka përmendur fare dëshirën e vendit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, të cilën më parë Washingtoni e ka përkrahur.

Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson të hënën ka lëshuar një deklaratë të shkurtër për të dërguar urimet më të mira dhe shpresat për “një të ardhme prosperuese”, dy ditë para ditës së saj kombëtare.

Por formulimi i deklaratës nënvizon ndryshimet që i ka sjellë administrata e re amerikane e Presidentit Donald Trump në raport me përkrahjen që paraardhësi i tij i ka dhënë BE-së, transmeton Koha.net.

Dhe kjo deklaratë mund ta gëzojë Kremlinin e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili po synon të rikthejë ndikimin historik të Moskës në Serbi dhe në Ballkanin e gjerë.

Në letrën e kësaj jave, Tillerson ka lavdëruar “përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të promovuar reformën ekonomike, për të forcuar edhe më tej sundimin e ligjit dhe t’i përmirësojë marrëdhëniet me fqinjët e saj”, të cilat ai i përshkruar si gurëthemel i “stabilitetit rajonal dhe zhvillimit ekonomik”.

Por ai nuk përmendi fare tentimin e fundit të Serbisë për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian apo të asaj që më parë Departamenti i Shtetit shpesh i referohej si “aspirata euro-atlantike”.

Por, vitin e kaluar në po të njëjtën ditë, sekretari i shtetit i ish-presidentit Barack Obama, John Kerry, theksoi përkrahjen e SHBA-ve për anëtarësimin e Serbisë në BE në mënyrën më të qartë.

“Ne përgëzojmë përkushtimin e Serbisë në procesin e saj drejt anëtarësimit në BE dhe në reformat e ndërlidhura”, kishte shkruar Kerry shkurtin e vitit 2016.

“Puna e vështirë e miratimit të normave dhe standardeve të BE-së do të çojë në një Serbi më prosperuese dhe më dekorative që është më e integruar në institucionet euro-atlantike”.

I kontaktuar nga AFP, Departamenti i Shtetit nuk ka komentuar menjëherë atë nëse gjuha e Tillersonit shënon ndryshim në politikën amerikane ndaj zgjerimit të BE-së.

Administrata e Obamas ka qenë mbështetëse e zëshme e afrimit të Brukselit me shtetet e Evropës Qendrore dhe asaj Lindore, duke besuar se anëtarësimi në BE do t’i lidhte ish-satelitët sovjetikë më fort me Perëndimin, transmeton Koha.net.

Por Trumpi ka përbuzur Bashkimin Evropian dhe traktatet multilaterale në përgjithësi, e madje ka qenë i përmbajtur mbi rolin e ardhshëm të NATO-s.

Serbia zyrtarisht ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2009 dhe ka nisur negociatat për të më 2014.

Serbët që dëshirojnë Perëndimin e shohin bllokun 28 anëtarësh si garantues të stabilitetit dhe prosperitetit në një rajon që ende po rimëkëmbet nga kriza financiare dhe nga luftëtar ballkanike të viteve të ’90-a.

Por shumë nacionalistë vajtojnë shpërbërjen e Jugosllavisë dhe bombardimin nga NATO ndaj caqeve serbe gjatë luftërave në Kosovë e Bosnje – dhe disa e shohin Rusinë e Putinit si aleat natyral.  

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...