Në Selanik evakuohen 70 mijë banorë në perimetër prej 2 km të bombës së pashpërthyer të LDB-së

12 Shkurt 2017 - 10:42      

Të paktën 70 mijë persona janë evakuuar nga qyteti i Selanikut, për shkak të punimeve për asgjësimin e një bombe të Luftës së Dytë Botërore, një ndër më të mëdhatë e gjetura në rajone urbane të Greqisë, ndërkohë që ka shkaktuar edhe një prej evakuimeve më masive të popullsisë.

Bomba e pashpërthyer u zbulua gjatë punimeve në rrugë të javës së kaluar, për shkak të zgjerimit të depozitave të një karburanti, ndërsa sot pritet të asgjësohet. Zyrtarët vendas thanë se bomba është në një gjendje të degraduar, saqë nuk mund të kuptohet me siguri nëse është e hedhur nga gjermanët apo nga aleatët.

Banorët në një perimetër prej 2 km përreth bombës janë detyruar të largohen nga zona nga zyrtarë të sigurisë. Operacioni është përshkruar si një prej evakuimeve më masive të civilëve në Greqi në kohë paqeje.

Ushtria greke thotë se një operacion i këtyre përmasave dhe i kësaj vështirësie, duke qenë edhe hera e parë që diçka e tillë bëhet në një zonë të populluar të Greqisë, mund t’i kërkojë ekipit të asgjësimit të saj rreth 8 orë punë, së paku, e më së shumti rreth dy ditë.

Rreth 1.000 oficerë policie dhe 300 vullnetarë kanë punuar në terren për t’u siguruar që është evakuuar edhe personi i fundit në zonën e rrezikshmërisë. Evakuimet sigurisht që kanë shkaktuar probleme në Selanik, ndërsa mes atyre që janë zhvendosur janë edhe 450 banorët e një kampi refugjatësh, që të gjithë të strehuar nëpër shkolla, pallate sporti dhe qendra kulturore.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...