AI: Qeveria siriane ka ekzekutuar 13,000 njerëz

7 Shkurt 2017 - 12:56      

Qeveria e Sirisë ka ekzekutuar deri në 13,000 njerëz, shumica prej tyre mbështetës civilë të opozitës, tha grupi për të drejtat e njeriut Amnesty International.

Ekzekutimet masive janë bërë me varje në një burg ushtarak, pranë Damaskut.

Në raportin e lëshuar të martën, grupi me seli në Londër tha se ekzekutimet kanë ndodhur në periudhën shtator 2011 – dhjetor 2015 dhe shtoi se të ngjashme mund të jenë duke vazhduar, raporton REL.

Amnesty International, i cili tha se vrasjet mund të përbëjnë krime lufte, bëri thirrje për hetime nga Kombet e Bashkuara.

Amesty ka intervistuar 84 njerëz, përfshirë ish-roje, të burgosur dhe zyrtarë të burgut për raportin e tij. Sipas grupit, 20 deri në 50 njerëz janë varur çdo javë në burgun Sajdnaja, i dubluar me emrin “thertore”.

“Midis 5,000 deri në 13,000 njerëz janë ekzekutuar në Sajdnaja në katër vjetët pas kryengritjes popullore të Sirisë, e cila ka rrëshqitur në luftë civile”, thotë raporti, për të shtuar se ekzekutimet e dyshuara janë autorizuar në nivelet më të larta të Qeverisë siriane.

“Viktimat janë në masë të madhe civilë, që mendohet se kanë kundërshtuar qeverinë”, thekson raporti.

Sipas të njëjtit, qysh në vitin 2011, “mijëra njerëz janë ekzekutuar në rrugë jashtëgjyqësore, me varje masive, të kryera natën, në fshehtësi të plotë dhe duke mos i informuar familjet për fatin e tyre”.

“Shumë të burgosur të tjerë në burgun ushtarak Sajdnaja janë vrarë pasi janë torturuar dhe privuar në mënyrë sistematike nga ushqimi, uji, barnat dhe kujdesi mjekësor”, thekson raporti.

Të burgosurit, që përfshinin ish-personel ushtarak, të dyshuar për tradhti, dhe njerëz pjesëmarrës në protesta, u janë nënshtruar gjykimeve false në gjykata ushtarake dhe nganjëherë janë detyruar, nën torturë, të pranojnë fajin, thotë tutje Amnesty International.

Trupat e të ekzekutuarve thuhet se më pas janë ngarkuar në kamionë dhe janë transferuar në spitalin ushtarak Tishren në Damask, për regjistrim dhe varrim masiv në tokën ushtarake.

Qeveria e presidentit sirian, Bashar al-Assad, më herët ka mohuar vrasjen ose keqtrajtimin e të burgosurve.

Prejse kanë shpërthyer demonstratat antiqeveritare në mars të vitit 2011, Assad i ka etiketuar të gjithë kundërshtarët e sundimit të tij si “terroristë”.

Në një tjetër zhvillim, të martën, Assad u citua nga agjencia zyrtare e lajmeve SANA të ketë thënë se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po i jep prioritet luftës kundër militantëve të Shtetit Islamik dhe se kjo është “premtuese”, edhe pse “ende herët të priten hapa praktikë”.

Trump e ka bërë mposhtjen e Shtetit Islamik qëllim kryesor të presidencës së tij dhe ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që i kërkon Pentagonit dhe agjencive të tjera të dorëzojnë një plan paraprak se si të procedohet me këtë luftë, brenda 30 ditësh.

Assad, po ashtu, u citua nga SANA të ketë thënë se bashkëpunimi SHBA-Rusi në intensifikimin e luftës kundër militantëve, do të kishte rezultate pozitive. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...