
16 Janar 2017 - 22:02
Komentet e Merkel ishin në përgjigje të një interviste që Trump dha në fundjavë, duke alarmuar disa udhëheqës evropianë me përsëritjen që i bëri kritikës së vjetër lidhur me NATO-n si dhe kur e quajti gabim historik përgjigjen që Gjermania i dha krizës së emigrantëve.
“Mendoj se ne evropianët e kemi fatin tonë në duart tona dhe do të mbështesja fort mendimin se ne qëndrojmë të bashkuar”, u tha Merkel 27 udhëheqësve të Bashkimit Evropian.
Duke folur gjatë një konference për shtyp në Berlin ajo tha se anëtarët e BE-së do të punojnë bashkë për të “luftuar terrorizmin, për të siguruar kufijtë e unionit, për të garantuar sigurinë e brendshme, për të punuar së bashku për një treg të vetëm si dhe për të krijuar vende pune”, transmeton VOA.
Ajo shtoi se qëndrimet e Trumpit mbi Evropën janë të njohura. “Presidenti i zgjedhur i ka nënvizuar pikëpamjet e tij. Sapo të marrë detyrën ne natyrisht do të bashkëpunojmë me administratën e re dhe do të shohim se çfarë lloj marrëveshje mund të arrijmë”.
Duke folur të dielën për revistën “Times” të Londrës dhe gazetën gjermane “Bild”, Trump tha se “NATO është vjetërsuar pasi është projektua shumë vite përpara”. Ai përsëriti një nga ankesat e tij të bëra edhe në fushatë se “vendet e aleancës nuk po paguajnë aq sa duhet për mbrojten e tyre”.
Më herët gjatë ditës, ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier tha se komentet e Trump shkaktuan “surprizë dhe ankth” mes vendeve anëtare të NATO-s. “Ne duhet të presim dhe të shohim se cilat do të jenë pasojat e politikes amerikane”, tha ai.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, nëpërmjet një deklarate lexuar nga zëdhënësi i tij, u shpreh se po pret të bashkëpunojë me Trump. “Ai është absolutisht i bindur se administrata e re do t’i mbetet angazhimit në kuadër të Nato-s”, thuhet në deklaratë. “Një NATO e fortë është diçka e mirë për Shtetet e Bashkuara ashtu si dhe për Evropën”, tha Stoltenberg.
Rusia tha të hënën se është tepër herët për të komentuar mbi propozimet e presidentit të zgjedhur Donald Trump, i cili sugjeroi në intervistë se do të mbështesë heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë në këmbim të një marrëveshjeje për të pakësuar arsenalin e saj bërthamor.
“Le të presim deri sa zoti Trump të marrë detyrën para se ne të japin vlerësimin tonë për çdo nismë të tij”, tha zëdhënësi i presidentit rus, Dmitri Peskov, në një konferencë shtypi.
Presidenti i zgjedhur amerikan kritikoi ndërhyrjen e Rusisë në Siri dhe përsëriti kritikat ndaj NATO-s, duke thënë se kjo aleancë është e vjetërsuar dhe shumë vende anëtare të saj nuk paguajnë pjesën që u takon. Por ai tha gjithashtu se “NATO-ja është shumë e rëndësishme për mua”.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...