Mediat amerikane identifikojnë burimin rus të emailave të hakuar

6 Janar 2017 - 08:24      

Mediat amerikane kanë raportuar se agjencitë e inteligjencës në SHBA i kanë identifikuar rusët që thuhet se ia kanë dhënë faqes së internetit Wikileaks emailat e hakuar me qëllim që të ndikohen zgjedhjet presidenciale amerikane të mbajtura në nëntor.

Gazeta “The Washington Post” dhe agjencia e lajmeve Reuters kanë raportuar se CIA ka identifikuar zyrtarët rusë që ia kanë dhënë Wikileaks materialet e vjedhura nga Komiteti Kombëtar i Demokratëve dhe liderëve të kësaj partie, me direktiva të presidentit rus, Vladimir Putin por përmes palëve të treta.

Reuters shkruan se të gjeturat përmbajnë dokumente me informacione sekrete që agjencitë e inteligjencës ia kanë dhënë presidentit Barack Obama, më 5 janar dhe të cilat pritet t’i jepen gjatë ditës së sotme edhe presidentit të zgjedhur, Donald Trump.

Të gjeturat janë të rëndësishme sepse themeluesi i Wikileaks, Julian Assange e ka mohuar se emailat e vjedhur i ka marrë nga rusët, ndërsa Trump dje gjatë ditës e ka përsëritur mohimin e Assangit se rusët janë të përfshirë.

Reuters shkruan se materiali i vjedhur si pasojë e sulmeve kibernetike, në disa raste “shkonte në rrugë përqark” nga GRU, agjencia e inteligjencës së ushtrisë ruse deri te Wikileaks, në përpjekje që ta vështirësojnë gjetjen e origjinës se nga e kanë burimin materialet, një praktikë kjo e zakonshme që e përdorin të gjitha agjencitë e spiunimit.

Këto mënyra të dorëzimit ia kanë mundësuar Wikileaks të thonë qeveria ruse nuk është burimi i materialeve të publikuara në faqen e saj të internetit, shkruan më tej Reuters.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...