Papa Françesku: Zero tolerancë ndaj priftërinjve abuzues të fëmijëve

2 Janar 2017 - 22:00      

Papa Françesku iu ka thënë peshkopëve në të gjithë botën të kenë zero tolerancë për klerin që abuzojnë seksualisht fëmijët, shkruan Reuters.

Ai gjithashtu ka kërkuar falje për “një mëkat që na turpëron”.

Në një letër dërguar peshkopëve më 28 dhjetor, por që vetëm sot është publikuar nga Vatikani, Françesku shkruan: “Unë do të doja që ne të ripërtërijmë përkushtimin tonë për tu siguruar që këto krime të mos ndodhin më në mesin tonë”.

Prej zgjedhjes së tij në vitin 2013, Papa Françesku ka ndërmarrë hapa për të hequr me rrënjë abuzimin seksual brenda Kishës dhe të vë në zbatim masa që mbrojnë fëmijët.

Por, siç shkruan më tej Reuters, grupet që mbrojnë viktimat thonë ai nuk ka bërë mjaft, veçanërisht në mbajtjen përgjegjës të peshkopëve që kanë toleruar fshehjen e abuzimeve seksuale.

“(Kisha) pranon mëkatet e disa prej pjesëtarëve të saj: vuajtjet, përvojat dhe dhimbjet e të miturve që janë abuzuar seksualisht nga priftërinjtë. Ky është një mëkat që na turpëron neve”, shkruan në këtë letër Françesku.

Në vitin 2014, ai e ka krijuar një komision të Vatikanit, pjesë e të cilit ishin disa prej viktimave që të këshillojnë Kishat se si t'i parandalojnë abuzimet. Por, disa pjesëtarë të komisionit janë ankuar rreth hapave të ngadaltë të ndryshimit në Vatikan.

Françesku e ka miratuar edhe themelimin e një tribunali të Vatikanit për të gjykuar peshkopët që akuzohen se kanë fshehur abuzimet seksuale apo që nuk kanë arritur t’i parandalojnë ato.

Por, siç shkruan Reuters, ky propozim ka ngecur.

Abuzimet seksuale brenda Kishës janë përmendur për herë të parë në vitin 2002, kur është zbuluar se peshkopët në SHBA kanë dërguar abuzuesit nga njëra famulli tek tjetra, në vend se t’i ata zhvesh nga petku fetar fare.

Skandale të ngjashme më pas kanë filluar të zbulohen në tërë botën, ndërsa deri më tash Kisha ka paguar dhjetëra miliona dollarë si kompensim për viktimat.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...