Erdogan NATO-s: Nëse jemi aleatë, mos mbështesni terroristët

29 Dhjetor 2016 - 18:43      

Nëse e konsiderojnë Ankaranë aleate dhe partnere strategjike, vendet anëtare të NATO-s duhet të qëndrojnë në krah të Turqisë dhe jo të mbështesin organizatat terroriste. Ky është paralajmërimi i presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, i bërë gjatë kësaj të enjteje gjatë një fjalimi në një ceremoni vlerësimesh në Këshillin Shkencor turk për Kërkimet Teknologjike (TUBITAK).

Erdogan është shprehur se Turqia nuk mund të pranojë një partner që mbështet organizatat terroriste, të cilat edhe ata vet i konsiderojnë si terroriste.

“Ne jemi aleat i NATO-s. Por, si mundet që ju mbështesni organizatat terroriste dhe jo neve? A mos janë këto organizata terroriste aleate të NATO-s? Kjo është e papranueshme”, ka thënë Erdogan.

Më herët gjatë ditës, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu theksoi gjithashtu se “dihet botërisht” se Shtetet e Bashkuara kanë furnizuar me armë krahun sirian të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), ose më saktë luftëtarët “YPG”. Kjo e fundit është një nëndegë e armatosur e “PYD”-së, degë e PKK-së në Siri, e cila konsiderohet si organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, transmeton tch.

Sipas Turqisë, “YPG” dhe “PYD” janë gjithashtu organizata terroriste, pasi janë filiale të “PKK”-së. Gjithsesi, Shtetet e Bashkuara i kanë konsideruar degët “YPG dhe PYD” si një “partner të besueshëm” në luftimet në terren në Siri, ndaj dhe vazhdojnë t’i mbështesin ato. Këto grupe terroriste operojnë aktualisht në veri të Sirisë dhe kontrollojnë pjesën më të madhe të zonës në kufi me Turqinë.

Megjithatë, Erdogan akuzoi disa prej vendeve perëndimore edhe për mashtrim, sa i përket furnizimit me armë të tyre. “Nëse ju u keni dhënë armë këtyre organizatave terroriste, e më pas pretendoni se nuk keni dërguar armatime por vetëm municione, ne nuk mund ta besojmë këtë”, tha presidenti turk.

Kontradikta në fakt është vërejtur që prej vjeshtës së këtij viti, kur zyrtarë amerikanë konfirmuan se i kishin dërguar armatime Forcave Demokratike Siriane (SDF) në Siri, shumica e të cilëve janë militantë të “YPG/PYD”. Sipas Erdoganit, Turqia është braktisur në Operacionin për Mbrojtjen e Eufratit për të çliruar Al-Babin, një qytet strategjik për “DAESH”-in (akronimi arab i Shtetit Islamik) në veri të Sirisë, pasi kohët e fundit nuk ka marrë mbështetje nga NATO apo ndonjë aleat tjetër. Ushtria turke, nga ana e saj, po mbështet Ushtrinë e Lirë Siriane (FSA) në betejën e tyre për çlirimin e Al-Babit nga “DAESH”, pjesë e operacionit të udhëhequr nga turqit që ka nisur prej gushtit për të spastruar zonat kufitare me Sirinë nga terroristët. E premtja shënon edhe ditën e 129 të këtij operacioni.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...