
25 Dhjetor 2016 - 12:58
Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve kanë bërë të ditur se vendvotimi 2011 në shkollën fillore “Kiril Pejçinoviq” është hapur në orën 7, dhe procesi i votimit po zhvillohet pa probleme.
Në listën zgjedhore në këtë vendvotim, janë regjistruar gjithsej 714 votues dhe sipas të dhënave të KSHZ-së, deri në orën 10 kanë dalë për të votuar 10.64 për qind e qytetarëve me të drejtë vote në këtë vendvotim, përkatësisht 76 votues.
Organizata qytetare “CIVIL”, e cila monitoron procesin zgjedhor, ka njoftuar për disa parregullsi të natyrës teknike.
“Theksoj një varg pengesash teknike që paraqiten si mosfunksionimi i UV-llambës dhe mungesa e ngrohjes në hapësirat ku votohet, ndikon që të ulet numri i atyre që dëshirojnë të dalin për të votuar”, ka theksuar për Radion Evropa e Lirë, Xhabir Deralla, nga “CIVIL.
Ndërkaq, nga Policia kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se gjatë ditës së shtunë, në orën 17:00, në Ministrinë e Punëve të Brendshme një qytetar nga Tearca, ka njoftuar për një rast tentimi për blerjen votuesve, pas së cilit rast organet e sigurisë, në bashkëpunim me organet e hetuesisë në Tetovë, kanë dalë në terren, por nuk kanë arritur të mbledhin dëshmi për këtë rast, dhe deri më tani nuk ka persona të arrestuar.
“Nuk ka persona të arrestuar lidhur me veprën penale manipulim të procesit të zgjedhjeve”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, Marjan Josifovski, zëdhënës i dikasterit të Policisë në Tetovë.
Mosdalja në zgjedhje mundëson që të mbetet i njëjtë rezultati zgjedhor, përderisa dalja masive krijon mundësinë e barazimit të mandateve mes dy partive kryesore maqedonase, VMRO DPMNE-së dhe Lidhjes Social- Demokrate të Maqedonisë, për shkak të dallimit të ngushtë mes këtyre dy partive prej vetëm 316 votave në njësinë e 6 zgjedhore.
Qytetarët, të cilët kanë dalë për të votuar shpresojnë për përmirësim të mirëqenies së qytetarëve dhe hapje të vendeve të punës.
“Ne, bashkë me bashkëshorten time, dolëm për të votuar, atë që kemi ne mundësi të bëjmë, e bëmë me votën tonë. Shpresojmë të bëhet më mirë, të hapen vende të reja pune që populli të ketë punë dhe jo fëmijët t’i nxjerrim jashtë vendit, të krijohen kushte këtu të rriten pagat, sepse me këto tani s’arrijmë të mbijetojmë. Dëgjoj se janë ofruar para për të mos dalë në votime, si mund të bëhet mirë pa punë s’ka logjikë ”, thotë Sherif Izairi, banor i Tearcës.
Avdi Asani shpreson që procesi zgjedhor të kalojë pa probleme gjatë tërë ditës, ndërkohë që nga qeverisja e ardhshme pret që të angazhohet për ngritjen e standardit jetësor:
“Po, votova me shpresë se do të bëhet më mirë. Edhe radhës tjetër votova me shpresë se gjërat do të ndryshojnë për të mirë”.
Zemri Ibrahimi po nga Tearca e Tetovës thotë se ka dalë për të votuar me shpresë që gjërat të ndryshojnë për të mirë.
“Besojmë se do të kalojë qetë i tërë procesi zgjedhor. Kemi dalë të votojmë me shpresë se gjërat do të ndryshojnë për të mirë”, thotë Zemri Ibrahimi.
Ndryshe, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), mori vendim që të përsëritet votimi në vendvotimin 2011 në Komunën e Tearcës, në bazë të simulimit, me të cilin u tregua se rivotimi mund të ndikojë në numrin e mandateve të fituara, dhe në bazë të vendimit të Gjykatës Administrative ta pranojë ankesën për të sjellë vendim për anulimin e votimit në këtë vendvotim.
Rezultati që do të dalë nga rivotimi i sotëm do të varet se Lidhja Social -Demokrate e Maqedonisë a do të mund të sigurojë edhe një mandat në llogari të VMRO DPMNE-së, ose rezultati do të mbetet i pandryshuar sa është aktualisht: 51 mandate të fituara nga VMRO-DPMNE e drejtuar nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, dhe 49 mandate të fituara nga Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë e drejtuar nga Zoran Zaev.
VMRO-DPMNE ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në rivotim dhe se nuk do të njohë rezultatin zgjedhor nga rivotimi nëse i merret një deputet kësaj partie.
Ndërsa, partitë shqiptare janë shprehur se qytetarët do të mund të votojnë sipas vullnetit të tyre të lirë, pasi që me këtë rivotim, nuk pësojnë ndryshime mandatet e fituara nga partitë politike shqiptare.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...