SHBA: Snowden, ende në kontakte me spiunazhin rus

22 Dhjetor 2016 - 18:40      

Ish-kontraktori i Agjencisë për Sigurinë Kombëtare (NSA), Edward Snowden, sipas një raporti josekret të një hetimi të kryer nga Kongresi amerikan, thuhet se ka mbetur në kontakte me shërbimet sekrete ruse, që kur mbërriti në Moskë rreth 3 vite më parë.

Komiteti për çështjet e kundërzbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve publikoi raportin për të dhënë atë që kreu i këtij paneli e quajti “një shpjegim të plotë të krimeve të Edward Snowden dhe shpërfilljen e pamasë që ai ka treguar ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”.

Në një shembull të rrallë të votimit bipartizan, kreu republikan dhe ai demokrat i panelit u bashkuan në qortimin e Snowdenit, i cili në vitin 2013 zbuloi përpjekjet e qeverisë amerikane për të piratuar të dhënat e naftësjellësve të drejtuara nga kompanitë amerikane për t’iu shërbyer klientëve të huaj. Programet përgjuese mblidhnin të dhëna të plota dhe të pjesshme telefonike të miliona amerikanëve dhe ekzaminonin “e-mail”-et e tyre.

Snowden u arratis drejt Hong Kongut pas publikimit të tyre, e më pas përfundoi në Rusi për të shmangur hetimin penal ndaj tij.

Kreu republikan i komitetit, Devin Nunes tha se “do të duhet një kohë e gjatë për të zbutur dëmet” e shkaktuara nga Snowden. Ndërsa kryesuesi demokrat i komitetit, Adam Schiff tha se Snowden nuk është një informator apo denoncues, siç pretendon vet ai apo edhe mbështetësit e tij.

“Shumica e materialeve të vjedhura prej tij nuk kanë të bëjnë aspak me privatësinë e amerikanëve, ndërsa kompromentimi i tyre ka qenë një fitore e madhe për kundërshtarët e Amerikës dhe atyre që duan t’i bëjnë keq vendit tonë”, tha Schiff.

Publikimi i raportit vjen në një kohë kur komuniteti i shërbimeve sekrete amerikane ka akuzuar Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane. Mbështetësit e Snowdenit kanë nxitur presidentin Barack Obama ta falë atë, përpara se të largohet nga Shtëpia e Bardhë në fund të janarit. Por detajet në raportin e komitetit të shërbimeve sekrete, së bashku me fokusin intensiv ndaj piratimit të Rusisë të “e-mail”-eve të demokratëve, mund ta pengojë nxitjen për falje.

Lisa Monaco, këshilltarja e Obamës për Sigurinë Kombëtare dhe Antiterrorizmin, tha vitin e kaluar se Snowden “duhet të kthehet në Shtetet e Bashkuara dhe të gjykohet nga një juri e kolegëve të tij, e jo të fshihet pas mbulimit që i jep një regjim autoritar. Aktualisht ai është duke u përpjekur t’u shmanget pasojave të veprimeve të tij”.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...