Foto: Reuters

Donald Trump betohet më 20 janar si president i 45-të i SHBA

20 Dhjetor 2016 - 09:38      

Miliarderi Donald Trump u zgjodh të hënën zyrtarisht president i 45-të i Shteteve të Bashkuara, pas konfirmimit nga Kolegji Elektoral.

Ai do të bëjë betimin më 20 janar.

Në SHBA, zgjedhjet presidenciale nuk përcaktohen nga vota popullore, por nga rezultatet në votimin në secilin prej të 50 shteteve si dhe në kryeqytetin Uashington.

Fituesi i votës popullore në çdo shtet normalisht merr të gjitha votat e Kolegjit Elektoral të atij shteti, të cilat janë të ndara në proporcion me popullsinë e shtetit. Anëtarët e kolegjit elektoral hodhën votat e tyre të hënën në kryeqytetet e shteteve përkatëse.

Kandidatja demokrate, ish-sekretare amerikane e shtetit Hillary Clinton, mundi zotin Trump me rreth 2.9 milionë vota më shumë në votën popullore. Por republikani Donald Trump fitoi në ato gara që kanë më shumë rëndësi duke marrë 302 vota të Kolegjit Elektoral kundrej 232 votave që mori zonja Klinton.

Hillari Clinton fitoi shumicën e votave në Kaliforni dhe Nju Jork që i dhanë asaj një avantazh në votën popullore në shkallë vendi, ndërsa Donald Trump fitoi shtetet e mjaftueshme për të siguruar avantazh në Kolegjin Elektoral dhe një mandat katër-vjeçar si president i vendit. Kjo është hera e pestë në historinë e SHBA-së, dhe e dyta në 16 vitet e fundit, që fituesi i votës popullore nuk fiton votën e Kolegjit Elektoral.

Në shumicën e rasteve, votimi në Kolegjin Elektoral është një formalitet. Por ndryshe ishte këtë vit. Për shkak të garës tepër të kontestuar dhe kundërshtimit të vazhdueshëm të fitores së zotit Trump nga shumë përkrahës të zonjës Clinton, mijëra amerikanë u kërkuan 306 elektorëve republikanë të Kolegjit që ta refuzonin zotin Trump, qoftë duke votuar për zonjën Clinton apo për një tjetër republikan më të pranueshëm.

Nëse votimi do të përfundonte në barazim 269 - 269, atëherë çështja do të kalonte në Dhomën e Përfaqësuesve e cila do të zgjidhte presidentin.

Shumica e anëtarëve të Kolegjit Elektoral janë të detyruar me ligj të votojnë për kandidatin që fitoi votat e shtetit. Rastet që vota t’i jepet dikujt tjetër nuk janë të padëgjuara në politikën amerikane, por janë të rralla, që kur Kolegji Elektoral filloi të përdorej për herë të parë në vitin 1789. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...