Me një sy nga Irani, Netanyahu: Mos na kërcënoni, jemi tigra e jo lepuj

15 Dhjetor 2016 - 23:19      

Rënia e Aleppos në duart e forcave qeveritare siriane, të mbështetura nga Rusia dhe Irani, ka rritur alarmin në Izrael mbi kërcënime potenciale ndaj kufijve të saj dhe një riorganizimi më të gjerë të rajonit.

Kryeministri Benjamin Netanyahu nuk la vend për dyshime këtë të mërkurë, në lidhje me shqetësimin e thellë të Izraelit ndaj Teheranit, pozicioni i të cilit dhe jo vetëm, por edhe mbështetësve në Siri, është përforcuar nga mposhtja e rezistencës së rebelëve në Aleppo.

Gjatë një takimi në Astana me presidentin kazak, Nursultan Nazarbayev, Netanyahu u pyet nëse kishte ndonjë mesazh për presidentin iranian, Hassan Rouhani, i cili planifikon ta vizitojë Kazakistanin javën e ardhshme, transmeton tch.

“Mos na kërcëno neve. Ne nuk jemi lepuj, por tigra”, është cituar të ketë thënë Netanyahu përballë Nazarbayevit, nga gazeta “the Jerusalem Post”. “Nëse ju na kërcënoni, do të rrezikoni veten tuaj”.

I pyetur nga Nazarbayev, nëse ai besonte seriozisht se Irani dëshironte të shkatërronte Izraelin, Netanyahu iu kundërpërgjigj prerazi: Po, e besoj!

Lufta civile mbi 5-vjeçare në Siri i ka mundësuar Iranit, udhëheqësi suprem i të cilit ka bërë thirrje për shfarrosjen e shtetit hebre, të rrisë me shpejtësi ndikimin e tij anembanë rajonit. Qoftë përmes forcave të Gardës Revolucionare, apo myslimanëve shiitë e specifikisht milicisë Hezbollah në Liban, ndikimi i Teheranit tashmë shkon nga Afganistani e deri në detin Mesdhe.

Përveç shqetësimeve mbi fluksin në rritje të armëve, tashmë që Irani ka qasje edhe në një prej porteve të Mesdheut, në Tartus, në bregdetin jugor sirian, Izraeli shqetësohet edhe për Hezbollahun e trimëruar nga patronazhi i Iranit që mund të nisë sulme të reja në territorin izraelit.

Gjatë muajve të fundit ka pasur incidente të izoluara kufitare, megjithatë Izraeli dhe Hezbollah u përfshinë në luftë në vitin 2006, gjatë së cilës mbi 1.000 libanezë dhe 160 izraelitë u vranë. Një pjesë e madhe e popullsisë në Izrael dhe Liban u zhvendosën, ndërsa infrastruktura në Libanin jugor dhe pjesë të Bejrutit thuajse u shkatërrua.

Edhe pse radhët e Hezbollahut kanë pësuar humbje në luftimet në Siri, pasi zyrtarë izraelitë përllogarisin se 1.700 luftëtarë janë vrarë dhe 7.000 të tjerë janë plagosur, grupi ka shtuar stokun e armatimeve dhe numëron tashmë një arsenal prej të paktën 100 mijë raketash, sipas analistëve izraelitë dhe atyre të pavarur.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...