Vendimi për Mlladiqin mund të vonojë një vit

15 Dhjetor 2016 - 21:11      

Gjyqi për krime lufte dhe gjenocid ndaj ish-shefit ushtarak serbo-boshnjak, gjeneralit Ratko Mlladiq, u mbyll këtë të enjte, ndërkohë që 3 gjykatës të Kombeve të Bashkuara kanë shtyrë qëllimisht periudhën e diskutimeve për vendimmarrjen, një proces që pritet të marrë afro një vit kohë.

Prokurorët dhe pala mbrojtëse e Mlladiqit dhanë edhe versionet e tyre përfundimtare, përpara se kryegjyqtari Aphons Orie shtyu seancën derisa gjykata të japë verdiktin e saj për 11 akuza, mes të cilave për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. 

Prokurorët kërkuan nga gjykatësit e Tribunalit për krimet e luftës në ish-Jugosllavi me seli në Hagë, të dënojnë Mlladiqin me burgim të përjetshëm, i akuzuar si truri i masakrave të ndodhura në Bosnjë gjatë luftës së viteve ’92-’95. Ndërsa avokat mbrojtës të tij kanë kërkuar pafajësinë.

Prokurori Alan Tieger u përpoq të përmblidhte çështjen e tij dhe të kundërshtonte pretendimet se Tribunali i Hagës është i njëanshëm kundër serbëve, që faktikisht kanë përbërë edhe shumicën e të dyshuarve të dënuar nga kjo gjykatë.

“Gjenerali Mlladiq nuk vjen në këtë gjyq sepse është shtetas serb. Nuk ka dalë para trupës gjyqësore, sepse ka qenë një oficer ushtarak”, tha Tieger. “Ai ndodhet këtu, sepse prova të shumta tregojnë dhe provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se, ai është fajtor për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe gjenocid”.

Faza përfundimtare e këtij gjyqi, në rastin e Mlladiq, është një arritje historike për Tribunalin e Hagës, që u ngrit në vitin 1993 teksa Ballkani ende ziente nga luftërat, e prej atëherë ka hetuar me sukses me dhjetëra të dyshuar, raporton tch.

Avokati mbrojtës, Dragan Ivetiq tha para gjykatës se, ende ekzistojnë dyshime të arsyeshme nëse klienti i tij ka qenë përgjegjës për vrasjet masive të myslimanëve, që ndodhën gjatë luftës, apo edhe për krime të tjera.

“Duke shqyrtuar të gjitha aspektet e kësaj çështjeje, gjenerali Mlladiq nuk mund të konsiderohet penalisht përgjegjës, sepse hetimet nuk e kanë nxjerrë atë në krye të piramidës”, tha Ivetiq.

Gjyqi ndaj Mlladiq është i fundit, përpara se Gjykata për Krimet e Luftës të pushojë së ekzistuari, teksa çështjet e mbetura gjyqësore do t’ia kalojë një institucioni të quajtur “Mekanizmi i OKB-së për Tribunalët Ndërkombëtarë të Krimeve” (UNMICT).

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...