Foto: Reuters

Forcat qeveritare marrin kontrollin e Aleppos, shqetësimet për civilët mbeten

14 Dhjetor 2016 - 10:34      

Rusia, e cila mbështet regjimin e presidentit sirian, Bashar al-Assad, tha se beteja për Aleppon ka përfunduar dhe se qyteti është nën kontrollin e forcave qeveritare. SHBA-ja dhe OKB-ja kanë akuzuar regjimin dhe aleatët e tij për vrasje të qëllimshme të civilëve.

Ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vitaly Churkin, siç transmeton Rel, tha se ofensiva e Qeverisë siriane në Aleppo, e mbështetur nga Rusia dhe Irani, ka marrë fund dhe se është arritur marrëveshje për evakuimin e luftëtarëve rebelë dhe të civilëve nga pjesa lindore e qytetit.

Churkin i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se civilët nuk do të dëmtohen nga marrëveshja.

Por, Shtetet e Bashkuara e përshkruan dhunën në Aleppo si “fatkeqësi moderne”, ndërsa OKB-ja, së bashku me disa qeveri perëndimore, akuzuan forcat e Qeverisë siriane për vrasje të qëllimshme të civilëve.

“Regjimi i (presidentit sirian) Assadit dhe Rusia kanë vendosur të marrin çdo pëllëmbë të Aleppos me forcë, duke mos marrë parasysh se sa trupa të pafajshëm dynden para tyre”, tha ambasadorja e SHBA-së në OKB, Samantha Power.

Churkin insistoi se “aktivitetet ushtarake në lindje të Alepos kanë ndaluar” dhe se Qeveria e Sirisë ka marrë kontrollin e asaj pjese.

“Deklarata e përfaqësueses së SHBA-së më duket shumë e çuditshme. Ajo flet sikur të ishte Nënë Tereza. Ju duhet të kujtoni se cilin vend përfaqësoni, se çfarë ka bërë vendi juaj dhe pastaj të flisni nga pozicioni i autoritetit moral apo ndonjë superioritet tjetër”, tha Churkin.

Aleppo lindore është kontrolluar nga rebelët qysh në vitin 2012.

Sipas marrëveshjes për evakuim, të ndërmjetësuar nga Turqia dhe Rusia, civilët dhe rebelët nga lindja e Aleppos do të evakuohen në zonat e kontrolluara nga rebelët në veri të Sirisë.

OKB-ja tha se “nuk është e përfshirë” në planin e evakuimit, porse është e gatshme të ndihmojë transportimin e të plagosurve dhe të sëmurve.

OKB-ja tha se ka prova të besueshme se në katër zona të Aleppos lindore, janë vrarë 82 civilë. Zëdhënësi për çështje humanitare i OKB-së, Jen Laerke, tha se në Aleppo duket sikur ka "kolapsim të plotë të humanitetit".

Kombet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara thanë se Qeveria e Sirisë, ashtu si edhe ato të Rusisë dhe Iranit, janë përgjegjëse për mizoritë e kryera në qytet. Damasku dhe Moska i kanë hedhur poshtë akuzat.

Në një intervistë për median ruse, presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, akuzoi Perëndimin për standarde të dyfishta.

Ai tha se zyrtarët dhe mediat kanë shprehur shqetësim për civilët kur forcat qeveritare kanë avancuar në Aleppo, porse nuk janë brengosur kur rebelët islamikë kanë sulmuar civilët dhe trashëgiminë kulturore në Palmira.

Rikthimi i Aleppos lindore paraqet fitore të madhe propagandistike për Qeverinë e Assadit, e cila tani kontrollon pothuajse të gjitha qendrat më të populluara në vend.  

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...