WP: CIA ka konkluduar se qëllim i hakerëve rusë ishte zgjedhja e Trumpit

10 Dhjetor 2016 - 16:28      

Agjencia CIA ka konkluduar se Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhjet amerikane, gjatë muajit të kaluar, për të ndihmuar që presidenti i zgjedhur, Donald Trump, të fitojë në garën për Shtëpinë e Bardhë, ka raportuar mbrëmë e përditshmja Washington Post.

Ky raport i gazetës u botua pasi presidenti amerikan, Barack Obama, ka urdhëruar hetim të thellë lidhur me sulmet kibernetike, që ndodhën gjatë zgjedhjeve, ndërsa të gjeturat pritet t’i dorëzohen atij deri më 20 janar, kur i kalon mandati në Shtëpinë e Bardhë.

Duke cituar zyrtarë anonimë të Shteteve të Bashkuara, Washington Post ka raportuar se Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) ka konkluduar se Trump ishte qëllim i Rusisë, pas identifikimit të individëve me lidhje në qeverinë e Rusisë, të cilët faqen në Internet, WikiLeaks, e kanë furnizuar me mijëra emaila të vjedhur nga Komiteti Kombëtar Demokratik, nga shefi i fushatës presidenciale të Hillary Clintonit dhe persona të tjerë.

Individët ishin të njohur si pjesë e operacionit më të gjerë rus që synonte forcimin e Donald Trumpit dhe zvogëlimin e gjasave të zonjës Clinton, për t’i fituar zgjedhjet.

“Është vlerësim i komunitetit të inteligjencës se qëllim i Rusisë ishte ta favorizoj një kandidat ndaj tjetrit, ta ndihmoj Trumpin që të fitoj”, e ka cituar gazeta Washington Post, një zyrtar të lartë amerikan.

Ky zyrtar, po ashtu, ka thënë se “kjo është pikëpamje me konsensus”.

Presidenti Barack Obama ka thënë më herët se ia kishte tërhequr vërejtjen presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, se do të ketë pasoja për këto sulme. Por, Putin i ka hedhur poshtë akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...