Obama: Lufta kundër terrorit nuk është luftë kundër islamit

7 Dhjetor 2016 - 11:45      

Në fjalimin e tij të fundit mbi sigurinë kombëtare, presidenti Barack Obama falënderoi trupat amerikane për ruajtjen e sigurisë në Amerikë dhe pa përmendur emrin e tij, hodhi poshtë thirrjet e presidentit të zgjedhur, Donald Trump, për ndalimin e hyrjes së myslimanëve në SHBA dhe mbështetjen e shprehur gjatë fushatës së tij për përdorimin e torturës.

Në fjalimin e tij para trupave në bazën ajrore MacDill në shtetin juglindor të Floridës, presidenti Obama tha se "gjatë tetë viteve të shkuara asnjë organizatë terroriste nuk ka arritur të planifikojë dhe të përmbushë ndonjë sulm në atdheun tonë", duke nënvizuar se kjo nuk do të thotë që nuk ka pasur përpjekje, transmeton Zëri i Amerikës. "Kjo është rezultat i punës suaj" u tha ai trupave.

Para fjalimit ai takoi dhe falënderoi komandën qendrore dhe udhëheqësit e operacioneve të posaçme në MacDill.

Presidenti Obama shpalosi pikëpamjet e tij për gjendjen e luftës kundër terrorizmit, pas dy mandateve të tij, duke marrë duartrokitje të fuqishme kur tha se udhëheqësi i al-Kaidës, Osama bin Laden, është i vdekur.

Ai tha me krenari që kur kishte marrë postin, 180 mijë trupa amerikanë ishin në Irak e Afganistan, ndërsa ky numër tashmë ka zbritur në 15 mijë.

Ai tha se shkurtimi i trupave tokësore në zonat e luftës, shënon ndryshimin e strategjisë për t'u mbështetur më shumë në ngritjen e koalicioneve të fuqishme ndërkombëtare dhe mbështjes në partnerët lokalë, me qëllim të zvogëlimit të viktimave amerikane dhe të shpenzimeve.

Presidenti Obama theksoi përparimin e arritur në luftën kundër grupit militant Shteti Islamik. "Kryesorja në po i thyejmë kurrizin ISIS-it". Ai tha se kostoja ishte shumë më e ultë sesa gjatë administratave të mëparshme.

Ai tha se me gjithë përparimin e arritur, punë nuk është kryer, ndërsa theksoi se gjatë viteve të fundit, sulmet më vdekjeprurëse në vend janë kryer nga "individë vendas të izoluar dhe të radikalizuar nëpërmjet internetit".

“Terroristët e sotëm mund të vrasin njerëz të pafajshëm, por nuk paraqesin kërcënim ekzistencial për kombin tonë", tha presidenti Obama, duke theksuar se terroristët janë vrasës e banditë dhe si të tillë duhet të trajtohen.

Presidenti Obama tha se administrata e tij e ka ndaluar torturën. "Mbështetja e vlerave tona dhe respektimi i sundimit të ligjit, nuk është dobësi. Në fakt është fuqi jonë më e madhe", tha ai.

Gjatë fushatës, Donald Trump, u zotua për qëndrim më të ashpër ndaj terroristëve dhe familjeve të tyre dhe se e mbështetë torturën.

Presidenti Obama tha se është koha e fundit për të mbyllur burgun në Gjirin e Guantanamoa, duke e cilësuar atë "një njollë" për Amerikën.

Duke kritikuar thirrjet e zotit Trump për ndalimin e myslimanëve, presidenti Obama tha se lufta kundër terrorit nuk mund të jetë luftë kundër islamit, duke shtuar se "mbrojtja e lirisë është diç që e bëjmë për të gjithë amerikanët, jo vetëm për disa". 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...