Francë, gara e pretendentëve konservatorë për president

19 Nëntor 2016 - 22:52      

Alain Juppe shpreson të futet në maj të vitit të ardhshëm në pallatin presidencial Elysee, pasi të ketë fituar zgjedhjet presidenciale në Francë, me kusht që gjithçka të shkojë sipas parashikimeve.

Zoti Juppe, ish-kryeministër i Francës dhe aktualisht kryetar bashkie i Bordosë, kryeson prej muajsh në anketa dhe pëlqehet gjerësisht nga francezët për humorin e hollë dhe qëndrimin e moderuar ndaj çështjeve të nxehta për elektoratin si komuniteti mysliman dhe imigracioni.

Por epërsia e tij është zvogëluar ditët e fundit. Ndërkohë që francezët përgatiten për raundin e parë të votimeve paraprake në radhët e kandidatëve konservatorë, disa po pyesin veten si do të ndikojë fitorja e Donald Trumpit në zhvillimet politike në vendin e tyre.

Ashtu si kudo në botë, fitorja në zgjedhjet amerikane e miliarderit republikan, me një retorikë shpesh polemizuese, ka ngjallur shpresat e elementëve të ekstremit të djathtë si Marine Le-Penn, e cila inauguroi rishtazi selinë e fushatës së saj në Paris, jo larg pallatit presidencial.

Shumë nga temat që u dëgjuan në fushatën presidenciale në Shtetet e Bashkuara gjejnë jehonë edhe në Francë. Votuesit shprehin zhgënjim me statu konë, shqetësim për vendet e punës, ndikimin e globalizimit dhe përhapjen e ekstremizmit islamik. Ndjehet dukshëm dëshira për politika dhe figura të reja në udhëheqje. Një frymë e tillë, thonë analistët, mund t’u japë mbështetje politikanëve që kanë qenë jashtë sistemit qeverisës deri tani, një ndër ta edhe zonja Le Penn.

Ndër pretendentët për të cilët votohet nesër në zgjedhjet paraprake të konservatorëve janë dy ish-kryeministra, ish-presidenti Nicolas Sarkozy dhe katër politikanë veteranë.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...