Takim Trump-Romney, sinjale për zbutje me figura republikane

19 Nëntor 2016 - 22:47      

Presidenti i zgjedhur Donald Trump u takua të shtunën me Mitt Romneyn, një ndër kritikët më të ashpër të zotit Trump gjatë fushatës presidenciale, emri i të cilit po lakohet tani si kandidat për sekretar shteti.

Marrëdhënia mes zotit Trump dhe zotit Romney ka qenë problematike, por Senatori Jeff Sessions, kandidat për postin e prokurorit të përgjithshëm, e ka nxitur zotin Trump ta shikojë Mitt Romneyn si kandidat për post në kabinetin e tij.

Takimi Trump-Romney mund të shihet si përpjekje nga presidenti i zgjedhur për të kapërcyer fërkimet që u krijuan gjatë fushatës me shumë figura të Partisë Republikane.

Në një fjalim në mars zoti Romney e kritikonte Donald Trumpin si mashtrues dhe matrapaz. Zoti Trump nga ana e tij iu përgjigj se Mitt Romney kishte ngecur si “qeni” gjatë konkurrimit të tij në zgjedhjet presidenciale të 2012 dhe ishte njeri i humbur.

Marrëdhënia mes tyre filloi të normalizohej pasi Mitt Romney i telefonoi zotit Trump për ta përgëzuar për fitoren në zgjedhje.

Ndërkaq, Donald Trump po shqyrton disa figura të njohura për poste të larta: ish-kryetarin e bashkisë së Nju Jorkut, Rudy Giuliani; ish-ambasadorin amerikan në OKB, John Bolton; Senatorin Bob Corker dhe Guvernatoren e Karolinës së Jugut, Nikki Haley.

Ish-Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Newt Gingrich ishte një ndër kandidatët që po analizohej për sekretar shteti, por ai vetë u tërhoq dhe u shpreh se synon ta mbështesë presidentin e ardhshëm si këshilltar i jashtëm.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...