Krejt çka ndodhi në Malin e Zi me zgjedhjet parlamentare [video]

17 Tetor 2016 - 19:24      

Partia Demokratike e Socialistëve është fituese e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura të dielën në Mal të Zi, por nuk e ka fituar shumicën, me ç’rast kryeministri pro-perëndimor, Milo Gjukanoviq, nuk ka zgjidhje tjetër përpos formimin e koalicionit, për të zgjatur 24 vjetët e tij në pushtet.

Gjukanoviq ka thënë se zgjedhjet ishin përcaktim historik mes lidhjeve më të ngushta me perëndimin e jo me Rusinë, por votuesit ishin të ndarë mes këtyre dyjave, duke i besuar partisë më të madhe në vend vetëm 36 ulëse në parlamentin prej 81 vendeve.

Sidoqoftë, malazezët dolën me shumicë në këto zgjedhje, pavarësisht raportimeve të shumta për ueb-faqe të hakuara, incidenteve në qendra të votimeve dhe arrestimit të një grupi serbësh prej 20 vetash, 6 prej të cilëve nga veriu i Kosovës, të cilët planifikonin sulme të armatosura ndaj zyrtarëve e institucioneve.

Autoritetet kanë thënë se këtyre personave u është caktuar masa e paraburgimit deri në 72 orë, derisa akuzohen për hyrje të qëllimshme në vend, me qëllim të shkaktimit të trazirave. Televizioni shtetëror malazez raportoi se këta persona janë marrë në pyetje në prokurori deri vonë natën, ndërsa mes tyre është edhe udhëheqësi i grupit, i identifikuar si ish-shef i xhandarmerisë serbe, Bratislav Dikiq.

Edhe qasja ndaj shërbimeve celulare në vend ishte bllokuar për një kohë të gjatë, derisa raportohej për porosi, me të cilat u bëhej thirrje përkrahësve të opozitës të votonin.

Në anën tjetër, pas përfundimit të numërimit të votave, del se partitë opozitare kanë fituar në total më shumë se 35 ulëse. Andaj zyrtarë partiakë edhe nga DPS-ja edhe nga opozita shpallnin fitore.

“Disa janë në dyshim nëse ne fituam më së shumti vota, andaj t’u tregojmë. Partia Demokratike e Socialistëve ka fituar më shumë mandate sesa tri partitë opozitare bashkë,” ka thënë Gjukanoviq para përkrahësve të tij të dielën pas shpalljes së rezultateve.

Tani të dyja taborret janë duke kërkuar përkrahjen e partive nga komunitetet, për të krijuar shumicën në parlament. Historikisht, partitë minoritare në Mal të Zi kanë përkrahur partinë e Gjukanoviqit.

Gjatë fushatës, Gjukanoviq pohonte se Rusia i sheh këto zgjedhje si mundësi për të tërhequr tërë Ballkanin kah vetja e larg nga integrimet evropiane, por partitë opozitare e kanë akuzuar atë për gënjeshtra teksa thoshte se ato financohen nga Rusia.

“Sonte jemi të kënaqur të themi se Mali i Zi do të vazhdojë rrugën drejt së ardhmes stabile evropiane dhe brenda disa muajsh, do të ratifikojmë marrëveshjen për anëtarësim në NATO dhe përgjatë mandatit të radhës do të intensifikojmë negociatat për anëtarësim në BE, që besojmë se do të përfundojë deri në fund të mandatit tonë,” shtoi Gjukanoviq.

Mali i Zi deri tash ka hapur 24 kapituj në negociata me BE-në, duke qenë shteti më i suksesshëm në rajon në këtë aspekt. Sa i përket anëtarësimit në NATO, Mali i Zi është edhe më afër. Në vazhdim është nënshkrimi i protokollit për anëtarësim të shteteve anëtare. Deri tash, 8 shtete anëtare të NATO-së kanë ratifikuar këtë protokoll në parlamentet e tyre, e në fillim të vitit pritët që ky proces të përfundojë.


Krejt çka ndodhi në Malin e Zi me zgjedhjet... by kohanet
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...