Nisin votimet e parakohshme në 38 shtete të SHBA-ve

13 Tetor 2016 - 12:58      

8 nëntori është ende larg, por në Ohajo kanë nisur të hidhen votat e para të zgjedhjeve presidenciale amerikane.

Votimet e parakohshme po fillojnë në disa shtete, ku njerëzit janë vënë në radhë për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese. 38 prej 50 shteteve amerikane kanë një lloj votimi të hershëm në garën e sivjetshme mes demokrates Hillary Clinton dhe republikanit Donald Trump.

Nxitja e simpatizantëve për të votuar shpejt ka qenë pjesë e rëndësishme e përpjekjeve të të dyja partive të mëdha.

Nëse zgjedhjet do të ishin mbajtur javën e kaluar, siç tregojnë projeksionet e fundit, Clinton do të kishte shanse dërrmuese për të siguruar minimumin e 270 votave të kolegjit elektoral, aq sa nevojitet për t’u bërë presidenti i ardhshëm i Amerikës.

Trump ndërkohë është duke humbur terren në disa prej shteteve ku fitorja i nevojitet shumë dhe skandali me gratë duket se po i kushton goxha.

Pas videos së bujshme me komente denigruese për femrat, miliarderit iu desh të përballej edhe me akuzat e dy grave të tjera. Donald Trump - thanë ato për “New York Times”, i ngacmonte femrat si të ishte oktapod. “U ngjishej e i puthte me zor”, thanë ato.

Stafi i fushatës së Trump reagoi menjëherë. “Ky artikull është i gjithi fiktiv dhe për “NYT” është e rrezikshme që publikon një shkrim të tillë krejtësisht të rremë e të thurur në mënyrë të tillë për të goditur karakterin e zotit Trump”, deklaroi zyra e shtypit.

Por gratë nuk janë problemi i vetëm i miliarderit. Përmes një proteste jo të zakonshme, meksikanët i kujtuan kandidatit republikan se nuk e kanë harruar etiketimin që u ka bërë si “përdhunues” e “trafikantë droge”.

Tubuesit në Meksiko Siti qëlluan fort me shkop njëri pas tjetrit një kukull që i ngjasonte manjatit njujorkez. Kjo ishte mënyra e tyre për të shfryrë zemërimin ndaj politikanit kontrovers.

“Protesta jonë është kundër atij idiotit. Trump është një ksenofob, një racist dhe dëmi që i ka bërë komunitetit tonë tani nuk zhbëhet më”, deklaroi Maria Garcia, një prej protestuesve.

Sipas sondazheve të fundit, Trump është tetë pikë përqindjeje pas Hillary Clinton.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...