26 Shtator 2016 - 19:16
Referendumi i së dielës për këtë u mbajt, edhe pse data në fjalë u kundërshtua, pasi që diskriminon myslimanët dhe kroatët që jetojnë në Republikën Srpska.
Serbët shpallën krijimin e shtetit të tyre brenda Bosnjës më 9 janar 1992, duke nxitur luftën etnike me ç’rast më shumë se 100 mijë persona vdiqën, e Bosnja edhe pas luftës vazhdon të jetë e ndarë mes tri etnive kryesore.
Në këtë referendum, patën të drejtë vote rreth 1.2 milionë banorë e dalja e votim ishte më shumë se 56%. Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik ka thënë se e diela do të mbetet në histori si ditë kur serbët treguan vendosmërinë e tyre, përcjell KTV.
“Jam krenar me popullin e Republikës, për të gjithë ata që erdhën dhe votuan”, tha Dodik.
Dhe pavarësisht rezultatit, referendumi tashmë dëmtoi raportet etnike në Bosnjë dhe me plot arsye, ka vënë në pikëpyetje kredibilitetin e zyrtarëve ndërkombëtarë që ende e kontrollojnë shtetin. Me këtë referendum, Dodik injoroi autoritetin e Gjykatës Kushtetuese boshnjake, injoroi BE-në dhe përfaqësuesin e lartë ndërkombëtar në Bosnjë, sikurse edhe vetë Serbinë.
Edhe pse përfaqësuesi i lartë për Bosnjë ka mundësinë që të shkarkojë politikanë nga pozita në rast se rrezikojnë Marrëveshjen e Daytonit, viteve të fundit, veprime të këtilla nuk kishte e tani shtohen shqetësime se me po kaq kryeneçësi, Dodik mund të mbajë referendum për shkëputje të Republikës Srpska nga Bosnja.
Sidoqoftë, Valentin Inzko ka thënë se votimi është ilegal dhe jokushtetues e duke folur për BBC-në, shtoi se Dodik ka gjasa reale që të shkarkohet. Në anën tjetër, kryesuesi i Kryesisë boshnjake, Bakir Izetbegovic ka akuzuar Dodikun, duke thënë se po luan me zjarrin.
Njëkohësisht, të hënën mediat boshnjake kanë shkruar se së shpejti do të fillojë procesi i izolimit total të Dodikut dhe Republikës Srpska.
Hapi i parë i kësaj është injorimi absolut i referendumit dhe faktit që Dodik nga ky moment më nuk është faktor i kurrfarë rëndësie.
Ai tani do të ballafaqohet edhe me izolim diplomatik, respektivisht me faktin se askush nga bashkësia ndërkombëtare më nuk do të kontaktojë me të e referendumi do të mbetet i pavlefshëm.
© KOHA
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...