Problemi i Sirisë kthehet në pikën zero

20 Shtator 2016 - 08:49      

Qeveria e Shteteve të Bashkuara shprehu “zemërimin” e saj për një sulm mbi një konvoj ndihmash pranë qytetit Alepo të Sirisë.

Sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut, 12 veta janë vrarë në këtë sulm.

Kombet e Bashkuara konfirmuan se konvoji është qëlluar pranë lagjes Urm al-Kubra, por nuk dhanë detaje të tjera, shkruan REL.

Aktivistët thanë se sulmi ajror ka goditur kamionët disa orë pasi ushtria e ka shpallur të përfunduar armëpushimin e ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe Rusia.

Uashingtoni, në anën tjetër, tha se “do të rivlerësojë perspektivat e ardhshme për bashkëpunim me Moskën”.

“Destinacioni i këtij konvoji ka qenë i njohur për regjimin sirian dhe Federatën Ruse”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby.

“Dhe, prapëseprapë, këta punëtorë të ndihmës u vranë në përpjekjet e tyre për të ndihmuar popullin sirian”, shtoi ai.

Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut, grup monitorues me seli në Londër, tha se sulmi është kryer ose nga avionët sirianë, ose nga ata rusë. Damasku nuk ka komentuar.

Shefi për ndihma i OKB-së, Stephen O’Brien, tha se nëse “sulmi i egër” del se ka qenë i qëllimshëm, do të përbëjë krim.

Sipas një zëdhënësi të OKB-së, së paku 18 prej 31 kamionëve janë goditur. Konvoji është nisur të shpërndajë ndihma për rreth 78,000 njerëz.

Sulmi duket se është sinjal për kolapsin e përpjekjeve të SHBA-së dhe Rusisë për t’i dhënë fund dhunës në Siri.

“Nuk e dimë nëse armëpushimi mund të rikthehet”, tha një zyrtar amerikan në kushte anonimiteti, transmeton BBC.

“Në këtë moment, rusët duhet të dëshmojnë shumë shpejt seriozitetin e tyre, në të kundërtën nuk mund të shpëtohet asgjë”, tha ai.

Forcat qeveritare dhe ato rebele kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit.

Dërgesat e ndihmës në zonat e rrethuara kanë qenë pjesë e rëndësishme e marrëveshjes për ndërprerje të armiqësive, të ndërmjetësuar javën e kaluar.

OKB-ja tha se ka marrë miratimin e Qeverisë siriane për të arritur në të gjitha zonat e rrethuara që kanë nevojë për ndihmë. Por, sipas OKB-së, qasja në shumë prej tyre ka qenë e kufizuar për shkak të luftimeve, pasigurive dhe vonesave administrative.

Armëpushimit po ashtu i është dhënë një goditje të shtunën, kur avionët luftarakë të koalicionit që udhëheq SHBA-ja kundër të ashtuquajturit Shtet Islamik, kanë bombarduar trupat siriane në qytetin Deir el-Zor, por me sa duket pa qëllim.

Zyrtarët thanë se këto sulme kanë lënë të vrarë mbi 60 ushtarë. Presidenti sirian, Bashar al-Assad, i ka cilësuar ato si “shembulli i fundit i agresionit flagrant të SHBA-së kundër pozicioneve të ushtrisë siriane, e në interes të organizatës terroriste Daesh” apo Shteti Islamik.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia mbështesin palë të kundërta në konfliktin sirian. Kremlini mbron Assadin, ndërsa Uashingtoni kërkon largimin e tij.

Lufta në Siri ka nisur në vitin 2011. Javën e kaluar, Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut tha se mbi 300,000 njerëz janë vrarë deri më tash në konflikt.

Shifra e fundit e dhënë nga OKB-ja – e cila ka ndaluar ndjekjen e viktimave në vitin 2015 – ka qenë 250,000 të vrarë në Siri. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...