Debati i parë mes Trump e Clinton, më 26 shtator

7 Shtator 2016 - 21:01      

Në garën presidenciale amerikane, një sondazh i ri i organizatave CNN dhe ORC tregon se republikani Donald Trump është dy pikë përpara demokrates Hillary Clinton. Zonja Clinton vazhdon të jetë në krye në anketat më të mëdha, por sondazhi i CNN-it është më i riu në një numër anketash në shkallë vendi që tregojnë se gara për Shtëpinë e Bardhë është duke u ngushtuar, tani që kanë mbetur vetëm dy muaj deri në ditën e zgjedhjeve.

Republikani Donald Trump foli për politikën e jashtme në shtetin Virxhinia, por nuk mundi të rezistojë pa përmendur lajmin e mirë në sondazhin e fundit.

"CNN doli me një sondazh të rëndësishëm, që tregon se Trump po fiton. Kjo është psikologjisht diçka e mirë. Sepse njerëzit që dje nuk më telefononin, po më telefonojnë sot. Sepse kështu funksionojnë gjërat në jetë, apo jo? "

Demokratja Hillary Clinton ende kryeson në anketat e mëdha kombëtare si dhe në shumicën e shteteve ku dy fushatat do të përqendrohen në muajt e mbetur.

Zonja Clinton e sulmoi rivalin e saj gjatë një tubimi në Florida.

"Ai poshtëron myslimanët dhe sulmon një familje, djali i së cilës humbi jetën në Irak. Kjo nuk përputhet me vlerat tona. Pra, ne kemi shumë plane, por kemi edhe vlera, dhe ne do t’i mbrojmë vlerat amerikane!"

Gara është ngushtuar, pjesërisht sepse në qendër të vëmendjes kanë dalë dobësitë e kandidates Clinton, thotë eksperti Stephen Wayne.

"Ka një numër njerëzish që nuk mendojnë se ajo është e sinqertë dhe e besueshme. Ajo po sillet si një politikane tradicionale në një kohë kur njerëzit nuk i duan politikanët.”

Por edhe zoti Trump ka mjaft vlerësime negative, thotë anketuesi Frank Newport i organizatës Gallup.

"Të dyja fushatat kanë probleme. Fushata e zonjës Clinton po përpiqet shumë ta ndryshojë imazhin e saj, por kjo është e vështirë të bëhet tani."

Zonja Clinton shpreson të ruajë avantazhin e madh që kishte menjëherë pas kuvendeve të partive, epërsi që u krijua për shkak të disa polemikave që ngjalli kandidati Trump, thotë analisti Jeremy Mayer.

"Është e mundur që Donald Trump ta fitojë këtë garë. Por për këtë atij do t’i duhet të mbushë deficitet e krijuara në anketa, që janë më të mëdha se të çdo kandidati tjetër presidencial në epokën moderne.”

Dy kandidatët përgatiten tani për ngjarjen e madhe të garës presidenciale, debatin e parë mes tyre që është caktuar për në datën 26 shtator.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...