Kandidati i CDU-së: Humbja erdhi nga politikat pro emigrantëve

5 Shtator 2016 - 12:14      

Kandidati që përfaqësoi partinë e kancelares gjermane Angela Merkel në zgjedhjet e mbajtura në landin Mecklenburg-Vorpommern, ka fajësuar politikat pro emigrantëve për humbjen.

Në një fjalim pas publikimit të rezultateve, Lorenz Caffier tha se gjithçka është e lidhur me emigrantët, pavarësisht punës së tij të mirë në vend. Edhe alternativa për Gjermaninë tha se partitë e mëdha kanë humbur kredibilitetin me politikat e dyerve të hapura dhe projektin e vdekur sipas saj të Bashkimit Europian.

Partia Kristian Demokrate e Angela Merkel u rradhit e treta në zgjedhjet e mbajtuara në landin ku vetë kancelarja gjermane është deputete, e sfiduar nga Social Demokratët që kryesuan në votime por edhe nga Partia kundër emigrantëve Alternativa për Gjermaninë.

AfD mori 21.4 përqind të votave në shtëpinë e Merkel në Mecklenburg-Vorpommern, zgjedhje të cilat cilësohen një provë e madhe për partitë politike një vit para zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen në Gjermani.

Votimet u mbajtën fiks një vit pas vendimit të kancelares për të hapur dyert ndaj emigrantëve që largohen nga luftrat e Lindjes së Mesme, Afganistani e Afrika, por në një klimë të dukshme pakënaqësie nga disa parti të tjera dhe nga vetë shoqëria gjermane.

Vetë kandidati i CDU, Lorenz Caffier” ka fajësuar politikat e dyerve të hapura të kancelares për humbjen.

“Zhvillimet pozitive rajonale të cilat i kemi arritur së bashku këtu në këtë shtet nuk kanë arritur në veshët e njerëzve në këtë periudhë zgjedhore. Ishte vetëm një çështje dhe kjo është emigracioni. Edhe pse emigracioni nuk është një fenomen që ka prekur Mecklenburg-Vorpommern, sepse së pari ne kemi punuar me këtë problem shumë mirë dhe shumë shpejt, dhe së dyti kemi vetëm rreth tre përqind të refugjatëve në vend, por politika federale ka lënë në hije të gjitha temat e tjera”.

Frauke Petry, bashkëudhëheqëse e AfD është në të njëjtën linjë.

“Partitë e mëdha kanë humbur kredibilitetin sepse po mashtrojnë njerëzit në vazhdimësi. Ne nuk kemi krizë emigrantësh, ne kemi një problem të madh me emigracionin e paligjshëm. Ne kemi gjithashtu një krizë të Euros, sepse Qeveria gjermane injoron faktin se projekti europian ka vdekur”.

SPD fitoi 30.2 për qind të votave, nga 35.6 për qind që mori në zgjedhjet e fundit në vitin 2011.

CDU e Merkel ndërkohë mori vetëm 19.8 përqind, nga 23 përqind që fitoi në 2011, duke shënuar kështu rezultatin më zhgënjyes në historinë e vonë.

Pavarësisht humbjes, SPD me 24 vende dhe CDU me 16, dy partitë kanë fituar vende të mjaftueshme për të vijuar bashkëjetesën e koalicionit te tyre në Mecklenburg-Vorpommern me AfD si blloku i dytë më i madh në Asamblenë e shtetit 71-anëtarësh.

Votuesit tashmë kanë nisur ndëshkimin e Merkel, duke pranuar Alternativën për Gjermaninë.

Kjo e fundit, e themeluar në vitin 2013, ka fituar vende në 9 nga 16 Asambletë shtetërore në të gjithë vendin, por gjithsesi nuk ka shanse të qeverisë Mecklenburgun pasi të gjitha partitë kanë refuzuar koalicionin me të. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...