Fëmijët vetëvrasës si armë e militantëve

23 Gusht 2016 - 08:32      

Sulmuesi vetëvrasës, i cili shpërtheu eksplozivët e tij të shtunën në një dasmë kurde në juglindje të Turqisë, duke vrarë së paku 54 veta, është thënë fillimisht se ka qenë fëmijë i moshës 12-14 vjeç, pjesëtar i grupit ekstremist Shteti Islamik.

Autoritetet turke më pas i kanë tërhequr deklaratat, duke thënë se nuk kanë ende të dhëna të konfirmuara për autorin.

Shteti Islamik, megjithatë, ka një histori të përdorimit të fëmijëve si armë, thuhet në një vështrim të sotshëm të REL. Ai i dërgon ata në vdekje të mbërthyer me eksplozivë ose i vë në vija të frontit në Irak dhe Siri.

Grupi ka një ushtri me fëmijë, të cilën e quan “të vegjlit e kalifatit”, i edukon në shkollat e veta, i indoktrinon me versionin e vet radikal të Islamit dhe i detyron të kryejnë akte të dhunshme. Disa video të Shtetit Islamik kanë treguar djem duke vrarë kundërshtarë të grupit me prerje koke ose të shtëna.

Një nga sulmet më vdekjeprurëse, të kryera nga një fëmijë i lidhur me Shtetin Islamik, ka ndodhur në një stadium futbolli në Bagdad, në mars të vitit 2015. Sulmuesi, rreth 16 vjeç, ka hedhur veten në erë, duke vrarë 29 veta dhe plagosur 60 të tjerë. Gati gjysma e të vrarëve kanë qenë po ashtu fëmijë.

Praktika, megjithatë, nuk është e kufizuar vetëm te Shteti Islamik. Ajo përdoret edhe nga grupe të tjera militante.

Grupet për të drejtat e njeriut dhe Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara (UNICEF) kanë raportuar për rritje dramatike të përdorimit të fëmijëve si sulmues vetëvrasës nga Boko Harami. Në një raport të publikuar muaj më parë, UNICEF ka thënë se një në pesë sulme vetëvrasëse në Nigeri, Kamerun dhe Çad, ku Boko Harami është i pranishëm, kryhet nga fëmijët.

Në Nigeri, Human Rights Watch ka thënë se prejse Boko Harami ka nisur sulmet në vitin 2009, ka rekrutuar qindra e ndoshta mijëra fëmijë dhe dhjetëra sish, shumica vajza, i ka përdorur si kamikazë.

Rrjeti terrorist global Al Kaida ka po ashtu histori të rekrutimit të fëmijëve dhe trajnimit të tyre për t’u bërë sulmues vetëvrasës.

Udhëheqësi i Al Kaidës në Irak, Abu Musab al-Zarqawi, i ka përdorur adoleshentët si sulmues vetëvrasës, në luftën kundër pushtimit amerikan në Irak, përpara se të vritej në vitin 2006.

Në territoret palestineze, Hamasi, Xhihadi Islamik dhe grupet e tjera militante udhëheqin kampe verore, në të cilat indoktrinojnë fëmijët palestinezë me ideologji të dhunshme anti-izraelite.

Këto grupe nuk kanë dërguar fëmijë në misione vetëvrasëse, edhe pse gjatë kryengritjes së dytë palestineze në fillim të viteve 2000, disa palestinezë 16-vjeçarë kanë hedhur veten në erë.

Gjatë valës aktuale të dhunës, dhjetëra adoleshentë palestinezë kanë kryer ose janë akuzuar për sulme me thika kundër izraelitëve. Autori më i ri i një sulmi të tillë ka qenë vetëm 11 vjeç. Sulmuesit besohet se kanë vepruar individualisht dhe se nuk janë dërguar nga grupe të organizuara.

Po ashtu në Jemen, njërin nga vendet me popullsinë më të armatosur civile, djemtë shpesh mësojnë se si të përdorin armët nga mosha e re. Në konfliktin aktual të Jemenit, forcat e parregullta edhe nga qeveria, edhe nga rebelët kanë përfshirë të rinj në radhët e tyre.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...