19 Shkurt 2014 - 10:39
“Plisi D” është emri i tastierës që websajti për burime të ligjit dhe studime shqiptare ua rekumendon atyre që shkruajnë shqip në kompjuter. Është gati e njëjtë me tastaturën amerikane, por ka dhe butona për Ë dhe Ç.
Për ta përdorur tastierën “Plisi D” nuk duhet të blini pajisje të re. Në adresën Plisi.al, mund ta shkarkoni falas programin që shton një përvijim të ri të tastaturës në kompjuterin tuaj.
Themeluesi i sajtit dhe autori i përvijimit, Getoar Mjeku, thotë se ka zgjedhur shkronjën D për Dardaninë. Germa dallon tastierën nga disa modele të mëparshme, që vizitorët e sajtit mund t’i shkarkojnë ende. Kurse vetë tastiera “Plisi D” ka dy variante.
“Plisi D1” është i thjeshtë dhe përqendrohet në nevojat themelore të gjuhës shqipe. Germat Ë dhe Ç ndodhen në pozita të përshtatshme, ndërsa vetëm tre butona kanë vlerë krejtësisht të ndryshme nga ç’kanë në tastierën amerikane dhe dy çelësa ndryshojnë pjesërisht.
Pesë butona kanë nga një vlerë të tretë. Duke shtypur njëkohësisht AltGr (Alt i majtë) dhe 4, tastiera përfton shenjën e Euros. AltGr dhe njëri nga numrat nga 7 në 0 jep kllapat gjarpërore dhe këndore.
Për përdoruesit e përparuar, Plisi.al rekomendon përvijimin “Plisi D2”. Ky është një variant i përsosur me së paku tri vlera për secilin buton.
Siç shpjegon autori, “Plisi D2” është punuar për të shtypur gati çdo gjuhë me alfabetin latin. Po ashtu, përvijimi përmban një numër karakteresh me përdorim në shkenca të sakta e fusha të posaçme.
Ndërkohë që të dy variantet funksionojnë më së miri në tastierën mekanike amerikane, standardi i tastaturës gjermane “T2” ka përcaktuar vlerat e treta e të katërta te “Plisi D2”. Autori çmon lart punën e inxhinierëve gjermanë.
“Puna e tyre është mahnitëse, — thotë Mjeku. — Ata më kanë përkrahur për tastierën shqipe dhe më kanë thënë se gëzohen që norma gjermane të mund t’ju shërbejë dhe vendeve të tjera”.
Mjeku, i cili është student i drejtësisë, thotë se shpreson që vendet shqiptare ta përvetësojnë tastierën “Plisi D” si standard kombëtar.
Kjo nuk është tastiera e parë për gjuhën shqipe. Mirëpo autori i saj i quan të papërshtatshme përvijimet që kanë ekzistuar më parë.
“Përdoruesit janë mësuar me tastaturën amerikane, e cila mbizotëron tregun. Por komputorët zakonisht kanë të instaluar një standard shqiptar, që është thuajse i papërdorshëm. Z del në vend të Y-së, thonjëzat në vend të @-it, kllapat këndore në vend të apostrofit… e apostrofi vetë është në një pozitë që ta lodh dorën”, thotë Mjeku.
Ai thotë se ka studiuar dhe projektet alternative për gjuhën shqipe, nga të cilat veçon përvijimin “Prektora”. Por shton se “Plisi D2” ka përparësi të shumta ndaj zgjedhjeve të tjera:
“Plisi D2 është më ergonomik. Shenjat e pikësimit ndodhet në butona që mund të shtypen lehtë. Duke përdorur AltGr-në, mund të shtypni cilëndo gjuhë që përdor alfabetin latin dhe shumë karaktere të tjera. Plisi D2 është për të gjithë – u shërben mjeteve të njoftimit, bizneseve, organizatave joqeveritare, ngrehimeve shtetërore, akademikëve, por dhe përdoruesve të thjeshtë”.
Sipas statistikave të sajtit, mbi 2 mijë përdorues kanë shkarkuar programin për tastierën “Plisi D” që prej se ajo u botua për të parën herë në fillim të muajit shkurt. Faqja e internet ofron dhe një doracak dhe video me udhëzime për instalimin e programit.
Tani për tani, programi është i gatshëm vetëm për kompjuterë që përdorin sistemin operativ “Microsoft Windows”. Por autori paralajmëron se do të nxjerrë versione për “Apple OSX” dhe distribuime të “Linux”-it, ndërkohë që po shqyrton mundësitë për pajisje celulare dhe tablete.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...