21 Shtator 2016 - 12:18
Duhet kujtuar se Mercedesi promovimin e karavanit standard të gjeneratës së re, E-Class, e ka mbajtur në fillim të qershorit, ndërsa me publikun e gjerë do të mund të njoftohet në panairin e veturave në Paris, transmeton Koha.net. Në Paris do të marrë pjesë edhe E-Class All-Terrain, versioni për të gjitha terrenet, i cili do të jetë rival i drejtpërdrejtë i Audi A6 Allroad Quattro dhe Volvo V90 Cross Country i ri.
E-Class All-Terrain është ndërtuar duke u bazuar në karavanin E-Class të lartcekur, që do të thotë se E-Class All-Terrain është më i lartë, vjen me amortizatorët me ajër, sistemin standard të tërheqjes në të gjitha rrotat, 4MATIC, set të rrotave me diametër prej 19 dhe 20-inç, sistemin Dynamic Select me pesë opsione (njëri opsion është i ri – “All-Terrain”), maskën e përparme më ndryshe, si dhe vjen me një interier mahnitës me disa elemente shtesë për siguri.
Bagazhi i këtij karavani të ri është me kapacitet më të ulët për dallim nga paraardhësi i tij, pra ky i ri ka kapacitet të bagazhit prej 670 – 1820 litra ndërsa modeli i vjetër prej 695 – 1950 litra. Hapësira e bagazhit është zvogëluar për shkak të siluetës sportive të modelit të ri. Megjithatë, E-Class All-Terrain ofron më shumë hapësirë për pasagjerët në pjesën e pasme sepse boshti i rrotave të këtij modeli është zgjatur nga 2874 në 2939 mm.
Ky E-Class i ri po ashtu vjen edhe me derë Easy-Pack të bagazhit e cila mund hapet dhe mbyllet duke klikuar një buton.
Sa i përket motorit, Mercedesi në fillim E-Class All-Terrain do ta ofrojë vetëm me motorë dizel 2.0-litër me kapacitet prej 194 kuajfuqi (versioni E 220d All-Terrain), në kombinim me marshin automatik 9G-Tronic me nëntë shpejtësi, transmeton Koha.net. Ky version shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë e arrin për 8 sekonda, ndërsa atë maksimale deri në 231 km/h.
Gjatë vitit 2017 do të arrijnë edhe motorët dizel me gjashtë cilindra (versioni E 350d All-Terrain), në kombinim me marshin e lartcekur.
Dërgesat e E-Class All-Terrain, sipas njoftimeve, do të fillojnë në pranverën e ardhshme me çmim, sipas vlerësimeve të mediave gjermane, prej rreth 1500 euro më shumë për dallim nga karavani standard E-Class që kushton 47,124 euro.
© KOHA
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...