RrGGK kujton aktivisten Sevdije Ahmeti

19 Nëntor 2016 - 22:06      

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, sot, përmes një kumtese për medie, ka kujtuar aktivisten e saj Sevdije Ahmeit e cila sot ndërroi jetë.

Sot, na la një aktiviste e madhe. Sevdije Ahmeti ishte ideatorja dhe shtylla e lëvizjes së grave në Kosovë. Në mesin e mbrojtësve më të hershëm të të drejtave të grave si të drejta të njeriut në Kosovë, ajo ishte udhëheqëse, aktiviste, feministe, shkrimtare, thotë kumtesa.

Në fillimet e aktiviteteve të saj për të drejtat e grave, si redaktore dhe udhëheqëse e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, Sevdija shkroi artikuj kundër stereotipeve negative të grave shqiptare të Kosovës, të portretizuar asokohe në mediat Jugosllave. Në vitin 1989, ajo ishte motori i përpjekjeve për të filluar Shoqatën e Gruas së Pavarur.

Pasi u shkarkua nga puna më 23 korrik 1989, ajo filloi të punojë për Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe ka përgatitur shumë raporte mbi shkeljet e të drejtave të grave për Amnesty International. Me ngulm u përpoq të hedhë dritë mbi shkeljet e të drejtave me baza gjinore dhe luftoi kundër "mënyrës në të cilën gratë ishin të margjinalizuara për shkak të politikave “të mëdha”", siç shprehej ajo. Sevdija gjithashtu ka bashkëpunuar me Shoqatën Nënë Tereza dhe në fushata për të promovuar rëndësinë e vaksinimit.

Në shtator të vitit 1993, ajo bashkë-themeloi Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, e cila shpejt u bë një strehë e sigurtë për gratë. Gjithashtu vazhdoi të dokumentonte më përpikmëri abuzimet e të drejtave të njeriut që preknin gratë dhe fëmijët në Kosovë. Kjo përfshinte edhe dorëzimin e provave në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë për dhunën seksuale dhe keqtrajtimin e kryer kundër grave të Bosnjës dhe të Kroacisë, kur ato u strehuan si refugjate në Kosovë.

Sevdija krijoi aleanca me aktiviste të të drejtave të grave në mbarë botën, duke ndërtuar mbështetje ndërkombëtare për të trajtuar gjendjen e popullit të Kosovës, në veçanti të grave. Ajo ka mbajtur një ditar të shkeljeve të të drejtave dhe aktivizmit të grave, duke iu dërguar përditësime të rregullta më shumë se njëmijë kontakteve në mbarë botën. Edhe gjatë persekutimit nga autoritetet serbe, Sevdija nuk pranoi të heshtë duke kaluar kufijtë e rrezikut personal për të mundësuar që zëri i gruas kosovare të dëgjohet në konferenca të ndryshme ndërkombëtare. Në shtator të vitit 1995, ajo ka shërbyer si koordinatore e Grupit të Komunitetit të Grave në Konfliktet e Evropës Lindore në Forumin e OJQ-ve gjatë Konferencës së Katërt Botërore për Gratë në Pekin, Kinë.
Kumtesa pastaj përkujton gjithë veprimtarinë e saj në mbrotje të të drejtave të njeritu e sidomos të gruas.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...