Me art publik kundër degradimit të Prizrenit

11 Gusht 2015 - 17:55      

Kanë përfunduar punimet në dy intervenimet artistike, pjesë të projektit të EC Ma Ndryshe “Aktivizmi kulturor dhe urban në Prizren”, që synojnë të tërheqin vëmendjen e publikut dhe institucioneve të shtetit për problemet aktuale të qytetit përmes metodave të të shprehurit kreativ.

Pas promovimit të intervenimit të parë “Ura e dashurisë” në muajin maj, dy veprat e radhës “Unë jam monument” dhe “Analogjia inverse” kanë zënë vendet e tyre në hapësirën publike të qytetit.

Intervenimi artistik “Unë jam monument” i Senat Halitit synon të rikthejë Arastën e vjetër fizikisht, përmes volumetrisë fantome të urës së mbuluar.

“Forma përmes thjeshtësisë tenton të sjellë në vëmendje një kujtim të mirë të Arastës se dikurshme, përderisa materiali PVC përmes kompleksitetit në vetvete flet për zymtësinë dhe realitetin e hidhur që po e mbyt qytetin e Prizrenit. ‘Unë jam monument’ është homazh për qendrën që po zhduket, krenarinë e Prizrenit, urat dhe çdo gjë të bukur që kjo pjesë e qytetit dikur strehonte në brendinë e saj, e që sot më nuk i ka. Kjo vepër është një thirrje për institucionet përgjegjëse të shtetit si dhe për qytetarët për të hapur sytë kundrejt realitetit të hidhur dhe për të vepruar dhe ruajtur vlerat kulturore të qytetit të Prizrenit”, thuhet në komunikatën e EC.

Intervenimi tjetër artistik “Analogjia Inverze”, me autore Nora Temaj, Mirëjetë Simitqiu dhe Fjolla Voca ngërthen në vete pjesën revitalizuese dhe atë artistike dhe është realizuar në hapësirën e Kejit duke shfrytëzuar materiale recikluese.
“Me anë të këtij intervenimi autoret janë munduar të shprehin pakënaqësinë e qytetarëve për degradimin dhe mos kujdesin ndaj hapësirave publike nga institucionet përgjegjëse. ‘Analogjia Inverze’ është intervenim për që e bën hapësirën publike të shfrytëzueshme dhe të qasshme për të gjithë qytetarët e Prizrenit. Ky intervenim është revoltë ndaj dinamikës së ndërtimeve në Prizren, sidomos atyre që po e shkatërrojnë qendrën historike, e bashkë me të edhe kujtesën kolektive e cila është shtresuar përgjatë një kohë shtrirjeje prej mijëra vjetësh qysh nga formimi i qytetit. Shikuar prej një këndi tjetër kjo analogji e kthyer mbrapsht jep porosi përmirësimi për rikonceptimin e një qytetit edhe në aspektin e qasshmërisë”, thuhet në komunikatë.

Intervenimet artistike janë pjesë e projektit “Aktivizmi Kulturor dhe Urban në Prizren” që synon të nxisë debat shoqëror mbi rolin e aktivizmit kulturor dhe urban në transformimin e qytetit, bazuar në parimet e qeverisjes demokratike. Në esencë, projekti është një iniciativë e intervenimit kulturor dhe artistik që në mënyrë kreative i trajton sfidat e zhvillimit urban dhe reformës demokratike në Prizren.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...