16 Shkurt 2017 - 15:01
Agjencia Kombëtare e Bregdetit e Shqipërisë ka hapur në fillim të javës një ekspozitë me 30 fotografi ku shihen gjetjet nënujore me rëndësi arkeologjike nga dekada e fundit. Fondacioni Detar RPM ka shenjëzuar deri më tani rreth një të tretën e bregdetit shqiptar, prej Sarandës, afër ishullit Korfuz të Greqisë, deri në Vlorë, transmeton sot “Koha Ditore” shkrimin e AP-së. Kryetari i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare, ka thënë se skanimi që kanë bërë ka gjetur 38 anije të fundosura në detin Jon, gjashtë prej tyre më se dy mijë vjet të vjetra. Tare ka thënë se anijet dhe objektet të tjera “tregojnë se Iliria antike ishte shteg më shumë komercial sesa vend për piratë”.
Ai ka thënë se pasuria arkeologjike e bregdetit shqiptar ka nevojë për më shumë mbrojtje ligjore dhe kujdes më të madh në mënyrë që ta bëjnë destinacion të preferuar për turistët. Shteti nuk e ka të zhvilluar industrinë e zhytjes, por sipas Tares një gjë e tillë mund të ndryshojë nëse gjetjet promovohen në mënyrën e duhur.
“Ne kemi shumë trashëgimi të tillë arkeologjike nënujore por deri më tani nuk kemi ditur se si t’i mbajmë, ruajmë dhe t’i përdorim”, ka thënë ai. Ekspozita përfshin fotografi të amforave - vazo me dy vegë dhe qypa të përdorur për verë apo vaj në Greqinë antike - dhe gjëra të tjera të punuara me guaca të vogla. Këto artefakte ashtu sikurse anijet mendohet të prezantojnë periudhë më të gjatë kohore, prej shekujve VI e V para erës sonë dhe Perandorinë Austro-Hungareze gjatë Luftës së Parë Botërore, deri tek anijet ushtarake të Britanisë apo Italisë prej Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë regjimit komunist që në Shqipëri ngjati deri më 1990, kontrolli i ushtarak i vijës bregdetare i ndaloi hajdutët, të cilët mund të tentonin që t’i vidhnin artefaktet. Shumë gjësende të tjera janë vjedhur. Departamenti i Arkeologjisë Detare në Institutin Shqiptar të Arkeologjisë para dhjetë vitesh nisi bashkëpunimin me Fonacionin Detar RPM, i cili gjendet në Key West të Floridës për të skanuar shtratin e detit dhe reliktet që gjenden aty.
Neritan Ceka, arkeolog veteran i përfshirë në zbulimet detare, ka thënë se hulumtimet e fondacionit kanë zbuluar “pasuri të paprekur të gjetjeve”.
“Pasuria e madhe arkeologjike duhet të paraqitet para njerëzve në mënyrë që ta ruajnë, por edhe për shkak të rëndësisë së saj hulumtuese në mbarë botën”, ka thënë Ceka.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...