13 Prill 2015 - 13:01
Janë gdhendur në mermer nga skulptori shqiptar, Destan Gashi, i cili që nga viti 1987 jeton dhe krijon në Vjenë të Austrisë. “Vajza nga Zymi” është vetëm një prej skulpturave të cilat do të jenë pjesë e ekspozitës së radhës që Gashi do të hapë më datën 9 maj. Siç shkruan sot “Koha Ditore”, ai ka një arsye pse ka zgjedhur pikërisht vajzën me rrush në dorë: ekspozita do të zërë vend rreth një vreshtarie.
E kjo skulpturë do të veçohet në këtë ekspozitë, pasi rreth 20 punimet me të cilat do të prezantohet ai, kanë motive tjera. Gashi do të ekspozojë ciklin e skulpturave nudo. Ndërsa me vajzën e Hasit mëton të shpalosë një pjesë të traditës së popullit të tij. Ekspozitës mund t’i bashkohet edhe skulptura “Grue hasjane”, që pasqyron një grua tek i jep gji foshnjës së porsalindur.
Kjo ekspozitë do të zërë vend në Galerinë e qytetit Sooss, i cili gjendet në qarkun e Badenit, në Austri. Gashi në këtë galeri rikthehet pas gjashtë vitesh. Ai ka thënë se aty kishte ekspozuar shumë herë.
“Do të jenë afërsisht 20 skulptura, të gjitha janë në mermer. Lloje të ndryshme të mermerëve, të Brazilit, Austrisë dhe vendeve të tjera. Do të ekspozoj me skulptura nudo dhe në mesin e tyre do të jetë një vajzë hasjane”, ka thënë Gashi, tek ka treguar se ekspozita me të cilën do të paraqitet nuk ka një titull.
“Kam hapur ekspozita në këtë vend shumë herë. Tash po rikthehem me këtë, e cila nuk ka një titull të caktuar”, ka thënë Gashi, i cili do të prezantohet me skulptura të madhësive të ndryshme.
“Kam skulptura të mëdha dhe të vogla. Të mëdhatë do të vendosen në një kopsht shumë të bukur me vreshtari dhe të voglat brenda”, ka shtuar ai. Në këtë ekspozitë nuk do të jetë i vetëm. Krahas punimeve të tij, do të zënë vend edhe piktura të një piktori austriak.
“Në këtë ekspozitë nuk do të jem vetëm. Do të jenë edhe pikturat e një piktori austriak. Zakonisht hap ekspozita vetë, por drejtori i kësaj galerie kërkoi që të kjo të përcillet edhe me piktura”, ka thënë Gashi, tek ka treguar se vajzën hasjane në këtë ekspozitë do ta ketë për qejf të tijin. Ani pse për gati tri dekada ka jetuar jashtë vendit, arti i tij gjithmonë ka frymuar shqip dhe kudo që është prezantuar deri më tani nëpër ekspozita ka shpalosur një pjesë të historisë së vendit të tij.
“Kjo është për qejfin tim, që t’u tregoj austriakëve që kështu është tradita e Hasit. Kam punime të tjera që shpalosin historinë e vendit, të cilat i kam ekspozuar”, ka thënë Gashi, i cili në prill të vitit të kaluar hapi ekspozitën e tij të parë në Kosovë, në ambiente të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. E kishte titulluar “Legjenda e Rozafës dhe histori të tjera në gur”. Fiks njëzet skulptura – shumica prej të cilave ishin ekspozuar në galeri të ndryshme nëpër botë – u patën shpërndarë në hollin e objektit të bibliotekës. Ndërsa në fund të vitit të kaluar skulptura “Engjëlli i Kosovës së lirë” u vendos në “Palais Liechtenstein në Vjenë”, në pallatin ku ruhet një koleksion privat i familjes princore, ku veçohen vepra të mjeshtërve të mëdhenj botërorë.
Skulptori Destan Gashi ka prejardhje nga Rahoveci. Ai ka diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Bruksel, fillimisht në pikturë, më 1978, dhe më vonë ka vazhduar studimet në degën e skulpturës. Prej vitit 1987 jeton dhe krijon si skulptor i pavarur në Vjenë të Austrisë. Gjatë studimeve ka marrë disa çmime e dekorata nga qyteti i Brukselit. Prej vitit 1985 ai ka pasur ekspozita të shumta në galeri, kala, kopshte e muze nëpër Austri dhe shtete të tjera. Shumë vepra të Gashit ndodhen nëpër koleksione private në Belgjikë, Holandë, Itali, Austri, Shtete të Bashkuara të Amerikës, Spanjë dhe Gjermani.
© KOHA
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...