Ministri i Kulturës për dy muaj shkarkon këshillat e tri institucioneve

19 Shkurt 2015 - 14:10      

Prishtinë, 19 shkurt - Pa përmendur ndonjë vërejtje konkrete, ministri i Kulturës, Kujtim Shala, ka shkarkuar anëtarët e këshillave drejtuese të dy institucioneve.

Me vendim të ministrit, të mërkurën, pa u përfunduar mandati janë shkarkuar këshillat e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Të dy nuk e kanë mbushur as një vit.

Qenë emëruar nga ish-ministri i Kulturës, Memli Krasniqi. Ai i QKK-së ishte emëruar në shkurt të vitit të kaluar me mandat trevjeçar, ndërsa ai i Galerisë Kombëtare të Kosovës qe emëruar në gusht të vitit të kaluar me mandat katërvjeçar. Me këtë vendim ministri Shala çon në tre numrin e këshillave që ka shkarkuar për dy muaj prejse udhëheq Ministrinë e Kulturës. Në fund të dhjetorit të vitit që shkoi, dy javë pasi mori postin e ministrit të Kulturës, shkarkoi Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Anëtarët e këtij Këshilli tashmë janë zëvendësuar. Ministria e Kulturës atë vendim e arsyetoi me vlerësimin se anëtarët e Këshillit që shkarkoi kanë keqmenaxhuar.

E në vendimin për shkarkimin e Këshillit të QKK-së, të cilin e ka gazeta, nuk jepet ndonjë arsyetim. “Me këtë vendim shkarkohen anëtarët e Këshillit Drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës, sipas pikës 2 të vendimit me numër 63/2014, i datës 24.02.14’, është shkruar në vendimin mbi të cilin ka hedhur firmën i pari i Kulturës dhe që në fillim sqaron që bazohet në Ligjin për kinematografi.

Por Vehbi Miftari, këshilltar i lartë i ministrit të Kulturës, Kujtim Shala, ka thënë se është analizuar në hollësi puna e këshillave të institucioneve dhe është vërejtur që ka defekte. Por nuk ka përmendur asnjë rast konkret.

“Sikur e dini, është në vullnetin e ministrit që të vlerësojë punën e këshillave të institucioneve të kulturës, si dhe të gjykojë nëse politikat programore të aprovuara nga ministri mund të jetësohen përmes tyre”, ka thënë Miftari, sipas të cilit kabineti i Shalës ka pranuar raportet vjetore të punës së të gjitha këshillave dhe i ka analizuar ato në hollësi.

“Përgjithësisht do të thosha se nuk jemi shumë të kënaqur me punën që ata kanë zhvilluar prejse janë emëruar. Institucionet sot vuajnë nga një mori defektesh, në masë të madhe për shkak të mosushtrimit të përgjegjësive nga ana e këshillave”, ka thënë ai.

E ish-anëtarët e këshillave të shkarkuar thonë se nuk e kanë idenë se ku kanë gabuar. Ata as që e dinë se me çfarë arsyetimi janë shkarkuar nga detyra.

Veton Nurkollari, që ka qenë kryesues i Këshillit tashmë të shkarkuar të QKK-së - me anëtarë Zana Radogoshin, Hazir Hazirin, Irena Cahanin e përfaqësuesin e MKRS-së, Valon Kashtanjevën - ka thënë se nuk ka informacione se çfarë ka ndodhur.

“Nuk e di a kanë arsyetim. Por nëse më duhet të vlerësoj, mendoj që ky bord ka punuar mjaft mirë dhe ka sjellë rezultatet për kohën e shkurtër sa e pati mandatin”, ka thënë Nurkollari.

Ai ka thënë se ndihet i zhgënjyer me vendimin e ministrit Shala, meqë nuk i ka dhënë mundësi Këshillit të QKK-së të dëshmojë rezultatet e punës që ka bërë.

“Mund të numëroj disa suksese, por s’jam në gjendje t’i numëroj dështimet. Personalisht do të doja ta dija a ka arsye apo vetëm është rregull që sapo vjen ministri i ri emërohen borde të reja”, ka thënë ai.

E sukseset që ka pasur QKK-ja gjatë mandatit të bordit tashmë të shkarkuar i ka numëruar Arben Zharku, drejtor i këtij institucioni.

“S’jam ai që duhet të vlerësoj, por QKK-ja gjatë kësaj kohe është pranuar për të kandiduar për ‘Oscar’, ka shkuar për herë të parë në ‘Berlinale’ si bashkëprodhuese në konkurrencë, ka lidhur marrëveshje të ndryshme”, ka thënë Zharku. As drejtori i QKK-së nuk e ka idenë se me çfarë arsyetimi është marrë ky vendim.

“Sot jam kthyer prej ‘Berlinales’ dhe më ka ardhur vendimi që është shkarkuar bordi, por nuk e di arsyetimin. S’ka arsyetim”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, stafi i Galerisë Kombëtare të Kosovës, të mërkurën, nuk ka pasur koment për shkarkimin e Këshillit të këtij institucioni.

Eliza Hoxha, që për gjashtë muaj ka kryesuar Këshillin e GKK-së, ka thënë se ndodhet jashtë vendit dhe nuk ka informacion për shkarkimin e këtij organi. Anëtarë të tjerë të Këshillit të GKK-së kanë qenë: Shkëlzen Maliqi, Zake Prelvukaj, Basri Çapriqi, Arjeta Emra, Lirjon Kadriu dhe Arlinda Hajrullahu, si përfaqësuese e Ministrisë së Kulturës.

Piktorja Zake Prelvukaj ka thënë se Këshilli i GKK-së e ka kryer punën si duhet dhe ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për ndërkombëtarizimin e këtij institucioni.

“Kam qenë dëshmitare e tri menaxhmenteve që prej pasluftës e këndej, por mendoj se Erzen Shkololli dhe Këshilli ynë kemi dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm pa interesa financiare”, ka thënë Prelvukaj.

Sipas saj, ministri Shala nuk duhet të marrë vendime politike.

“Respekt për ministrin, por mendoj që s’duhet të qërojmë hesape përmes partive politike. Unë e kam dhënë kontributin tim dhe mendoj që bashkë me Erzenin Bordi e ka ndërkombëtarizuar në mënyrën më të mirë të mundshme Galerinë dhe këtu kanë ardhur kuratorët më të njohur”, ka thënë ajo.

Prelvukaj ka shtuar se ministri Shala do ta ketë vështirë të gjejë njerëz të nivelit të njëjtë me anëtarët e Këshillit që ka shkarkuar.

“Uroj që të vijë dikush i këtij niveli dhe ministri të përpiqet të sjellë dikë që mund të vazhdojë punën tonë”, ka thënë ajo.
Kabineti i ministrit Kujtim Shala tashmë ka nisur të mendojë për anëtarët e rinj të dy këshillave që ka shkarkuar.

“Ne do të punojmë ngushtë me prijësit e këtyre fushave, shoqatat dhe institucionet që të identifikojmë personalitete të cilat do të ishin në gjendje t’i merrnin këto përgjegjësi, por edhe që do të mund ta bartnin peshën e punëve në këto institucione”, ka thënë Vehbi Miftari, këshilltar i lartë i ministrit Shala.

© KOHA Ditore


 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...