18 Mars 2014 - 14:24
E themeluesi i festivalit e krahason procesin e zgjerimit të “DAM Fest” me metamorfozën, shkruan sot "Koha Ditore". Për këtë arsye si moto të festivalit e ka shfrytëzuar një fragment të librit “Brum” nga Alban Fejza. Motoja është bajagi e gjatë. “Jam metamorfozë pas metamorfoze. Ndryshoj më shumë se gjërat që ndryshojnë dhe përsëriten. Më shpesh se sekonda e orës së prishur, pa mundësi fiksimi, klasifikohem...”.
Mbi këtë fjali Dardan Selimaj e ka konceptuar edicionin e sivjetmë të festivalit “DAM Fest”.
“Kështu e kam ndier këtë edicion”, thotë Selimaj, tek vazhdon me shpjegimet. “Sepse festivali prej edicionit në edicion ndryshon dhe kurrë s’mund të jemi njëjtë sado që muzika është e njëjtë ka elemente e intervenime që e bëjnë ‘DAM’-in të mos jetë festival me prioritet muzikën klasike, por të ofrojë edhe hapësirë për eksperimente”.
Sipas Selimajt, numri nëntë është gjithkund prezent në konceptin e këtij edicioni.
“Festivali ndryshon, por e ruan esencën, ani pse ndryshimi është evident. Nëntë ombrella i kanë nga nëntë pjesë. Numri nëntë është gjithçka në këtë edicion”, ka thënë ai. Asociacioni i nëntëshes janë edicioni dhe nëntë mbrëmjet muzikore. Krejt ndryshe prej njëra - tjetrës.
E në skenë gjithçka do të nisë me “bardhë e zi”, përkthimi në shqip i titullit të veprës së porositur enkas për festivalin. E kompozuar nga Memli Kelmendi, “Black and White” është veç një prej 30 veprave muzikore që do të interpretohen sefte në skenën e festivalit që tubon muziktarët e rinj.
Për nëntë mbrëmje muzikore kryeqyteti do të frymojë me muzikë. Edicioni i nëntë i festivalit ndërkombëtar të muziktarëve të rinj “DAM Fest” do të shtrihet midis datave 29 mars e 8 prill. Ndryshe prej vitit të kaluar, kur në mungesë të sallave festivali ishte zhvendosur nëpër hapësira alternative, sivjet “DAM” do të ndalet në katër stacione.
Salla e Kuqe, Teatri ODA, Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës janë vendet në të cilat do të performojnë muzikantë nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria, Japonia, Franca, Turqia, Gjermania, Kroacia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mes tyre ka violinistë, pianistë, harpistë e jazz këngëtarë me nam.
Dardan Selimaj ka thënë se festivali do të hapet me koncert recital për piano. “Do të hapet me koncertin recital të pianistit shumë të talentuar, fitues të shumë çmimeve ndërkombëtare. Ai vjen nga Maqedonia dhe quhet Dino Imeri”, ka thënë Selimaj, tek ka shtuar se performancës së Imerit do t’i paraprijë interpretimi i veprës së kompozitorit Memli Kelmendi. “’Black and White’ do të interpretohet nga nxënësit e shkollës së mesme të muzikës ‘Halit Kasapolli’ në Pejë. Kjo është vepër e porositur nga festivali, dhe publiku premierën e saj do ta shijojë në hapje të festivalit”, ka thënë ai.
Jazz-këngëtarja shqiptare me nam botëror, Elina Duni, ka zgjedhur festivalin “DAM” për të promovuar albumin e saj të ri.
Pjesë e edicionit të nëntë të këtij festivali është koncerti mysafir i Dunit, me të cilin do të promovohet albumi “Muza e zezë”. Bashkë me Dunin në këtë koncert do të performojë edhe Vlashent Satame, një artist i ri shqiptar që jeton në Francë. “Më vjen mirë që këtë vit në ‘DAM’ një pjesë e mirë e emrave pjesëmarrës janë debutues në skenën kosovare, kështu që besoj se kjo do të zgjojë kureshtjen e publikut”, ka thënë ai.
Një prej mbrëmjeve muzikore të “DAM Fest”, do t’u takojë solistëve të rinj kosovarë, të cilët do të shoqërohen nga Orkestra e Filarmonisë së Kosovës. “E para që do të ngjitet në skenë, në mbrëmjen e dytë të festivalit, është solistja Nita Grubi, e cila me të fituar çmimin ‘Pianisti i ri’ vitin e kaluar, ka fituar të drejtën të koncertojë me orkestrën e Filarmonisë për këtë vit”, ka thënë Selimaj. Veç Grubit, në këtë koncert, do të performojë edhe violinisti nga Maqedonia, që jeton në Gjermani, Xhafer Xhaferi. “Ai do të interpretojë koncertin për violinë dhe orkestër të kompozitorit Brahms. Ndërsa orkestra urdhrat do t’i pranojë nga japonezi Toshio Yanagisawa”, ka thënë Selimaj. Pjesë e programit të edicionit të nëntë të “DAM Fest” janë edhe violinistja nga Kazakistani, Aisha Orazbayera, e cila zhvillon karrierën në Britani, klarinetisti kosovar Fidan Osmani, i cili jeton në Gjermani e që në skenën e festivalit do të shoqërohet nga pianisti amerikan, Scott Faigen. Duke folur për programin e festivalit, Selimaj ka zbuluar një koncert të veçantë.
“Një tjetër e veçantë e programit është koncerti i dyshes Simon Deshpali, pianistit e dirigjentit kroat dhe sopranos e flautistes kosovare, Marigona Qerkezi”, ka thënë ai, tek ka shtuar se njëra prej mbrëmjeve të festivalit është rezervuar për violinistin kosovar, Visar Kuçi. “Ndërsa pjesë e programit do të jetë koncerti i harpistes së mirënjohur turke, Sirin Pancaroğlu”, ka thënë Selimaj.
E udhëtimi i festivalit “DAM” do të përfundojë me “Rreth botës me 88 taste”. “Ky është koncerti i pianistes gjermane Joja Wendt”, ka thënë Selimaj. Por, rrugëtimi i edicionit të nëntë të “DAM Fest” nuk mbaron në prill. Festivali do të rikthehet në muajin shtator. “Me një prej projekteve më ambicioze që janë realizuar deri më tani në skenën kosovare”, paralajmëron Selimaj pa treguar se për çfarë bëhet fjalë. Festivali ndërkombëtar i muziktarëve të rinj “DAM” është mbështetur nga Ministria e Kulturës. Sponsor medial i festivalit është KTV.
Të gjitha koncertet e festivalit do të jenë pa pagesë, përveç koncertit të Elina Dunit, për të cilin bileta do të kushtojë 10 euro.Kjo ngjarje kulturore tradicionale, për 11 ditë rresht do të sjellë për publikun kosovar nëntë koncerte, të cilat do të mbahen në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, Teatrin ODA, Teatrin Kombëtar dhe Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
Në këtë edicion do të prezantohen artistë nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria, Japonia, Franca, Turqia, Gjermania, Kroacia dhe SHBA-të.
©KOHA.net
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...