“Katedralja pa kryq” përmbledh filozofinë e ekzistencës

13 Nëntor 2014 - 09:31      

Prishtinë, 13 nëntor – “Mona Lisa” është një tregim dashurie që shkrimtari Gëzim Aliu e kishte shkruar kohë më parë.

Por, së fundi, e ka zgjeruar edhe më këtë rrëfim. Mbi bazë të “Mona Lisës” ka ndërtuar një libër. E ka pagëzuar “Katedralja pa kryq”. Në ditën e promovimit libri është përshkruar si një vepër që nuk shtjellon vetëm anën sensuale të individit krijues, por edhe filozofinë e ekzistencës, dhimbjen e sakrificën, por mbi të gjitha të bukurën.

Mesditën e së mërkurës në ceremoninë e përurimit të mbajtur në ambiente të Bibliotekës Kombëtare, “Katedralja...” është vlerësuar edhe vepër që sjell kolorit të ri në letërsinë e zakonshme.
Në ceremoninë e përurimit të librit, shkrimtari Gëzim Aliu ka lexuar vetë disa fragmente të romanit. Por, për librin, nuk ka folur asgjë. Këtë e kanë bërë kolegët e tij.

Shkrimtarja Donika Dabishevci ka thënë se narratori që është vetë shkrimtari, ndiqet nga një personazh që qëllon të jetë një piktor, i cili frymëzimin e tij e merr te vepra “Mona Lisa”.
“Gruaja e cila afekton piktorin ngjan me personazhin e tregimit e ky është raporti spiritual i krijuar mes tij dhe autorit. E që të dy kanë një Mona Lisë të tyre”, ka thënë Dabishevci.
Sipas saj narratori e piktori bashkohen duke folur përmes krijimtarisë së tyre. Dashuria si motiv në këtë roman për Dabishevcin merr përmasat dhe shpaloset përmes një niveli estetik e jo thjesht erotik.

“Për piktorin dashuria, kënaqësia e mëkati janë mekanizma për thyerje kufijsh e ikje nga realiteti i mbushur sipas tij me ego të sëmura e me njerëz të zhvilluar shpirtërisht së prapthi”, ka thënë Dabishevci.
Sipas Dabishevcit, në fund narratori del të jetë gnostik, që revoltohet ndaj zotit religjioz dhe me shpërfaqjen e botës së brendshme, spiritualizmit, mendimeve e ideve metafizike ndërton katedralen e tij me vepra arti.
Kritiku e shkrimtari Adil Olluri ka thënë se “Katedralja...” është një roman që përveç shtresës filozofike ka edhe dimensionin e meditimit.

“’Katedralja pa kryq’ del nga kuadrati i zakonshmërisë tematike, ngase në të shumtën e herëve meditimi për dashurinë dhe artin na vjen si njëri ndër motivet kryesore. Tek romani ky del boshti kryesor”, ka thënë Olluri.
Shkrimtari Ardian Haxha ka thënë se vetëm letërsia mund të shfaqet në plotësinë e saj sikur një ëndërr e bukur që është e vështirë të shpjegohet. Për të një ndjesi të tillë e krijon leximi i romanit të Gëzim Aliut.

“Ku ëndrra, zhgjëndrra dhe e bukura gërshetohen me njëra-tjetrën. I konstruktuar në disa linja narrative zbulon gjendjen emocionale të personazheve në momentet kulminante të shndërrimeve shpirtërore të tyre në kohën e gjakimit të dashurisë dhe vuajtjes për të”, ka thënë Haxha.
Sipas Haxhës, figura mistike e Mona Lisës, sipas përshkrimeve të piktorit Leonard Kurti rrëfehet në dimensione fataliteti, pasi që dashuria triumfon ndërmjet një çifti me status social të përfunduar. Njëri është i martuar dhe ka fëmijë e tjetri është i fejuar.

“Shkrimtari sikur e sforcon rolin e dashurisë në jetën e njeriut”, ka përfunduar Haxha.
Ndryshe, Gëzim Aliu, i lindur më 1977, ka diplomuar në Degën e Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ka botuar shkrime në revista e gazeta, dhe merret edhe me përkthime. Është punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe redaktor përgjegjës në revistën letrare “Jeta e Re”.
© KOHA Ditore

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...