Tetori vjen me “Oxygen”

28 Shtator 2014 - 16:05      

Kanë mbetur pak ditë dhe fansave u ka humbur durimi. Shumë prej tyre e shfrytëzojnë rrjetin social “Facebook” për të dhënë sinjale tek nikoqiri. I drejtohen gjithë ekipit me komente, si: “Ta dini se na keni munguar dhe me padurim presim t’ju ndjekim në televizion”.

Një tjetër shkruan “me padurim po e presim”. Ky koment pasohet me komentin e një adhuruesi tjetër të show-spektaklit më të pëlqyer në vend, shkruan sot Koha Ditore.

Poshtë promos së publikuar në profilin zyrtar të komedianit, Besim Dina, mund të lexohet edhe një koment i tillë: “Shyqyr që po ia nisni. Së paku një herë në javë shohim diçka që ia vlen”.

Në një videoklip, që nuk zgjat më shumë se njëzet sekonda, ekipi i show-programit “Oxygen” paralajmëron sezonin e ri. Emisioni i parë që e rikthen Dinën në ekran pas pushimit disa muajsh, transmetohet më 4 tetor në Kohavision.

Ndërrimi i orës së transmetimit është një prej risive të shumta që sjell ky emision. Në sezonin e ri, “Oxygen” do të transmetohet të shtunave, duke filluar në orën 20:15. Edhe këtë herë, fundjavat e shikuesve të Kohavisionit do të shoqërohen me batutat e Besim Dinës.

Show-spektakli më i pëlqyer në vend kishte përmbyllur sezonin e kaluar në muajin korrik me edicionin në të cilin mysafirë të Dinës kanë qenë këngëtarja Miranda Hashani dhe grupi muzikor “Elita 5” nga Maqedonia.

Dardan Selimaj, producent i programit në Kohavision, ka thënë se në sezonin e ri “Oxygen” vjen në ekran me disa ndryshime. E risive nuk u ka shpëtuar përmbajtja e emisionit.
“Do të ketë risi në skenë dhe në përmbajtje”, ka paralajmëruar Selimaj pa zbuluar detaje të shumta.

Por këto ndryshime, sipas Selimajt, nuk e prekin fizionominë e show-spektaklit me nikoqir Besim Dinën. Ai siguron që “Oxygen” do t’i mbetet besnik konceptit të vet.
“Këto ndryshime bëhen gjithmonë duke ruajtur fizionominë e show-ut dhe kuizit televiziv”, ka thënë Selimaj.

E fizionomia e “Oxygenit” i tejkalon kornizat e një spektakli. Emisioni që ka nisur të transmetohet që prej marsit të vitit 2008, shoqërohet me humor, muzikë dhe mysafirë të zgjedhur. Një pjesë e rëndësishme e “Oxygenit” është edhe kuizi i emisionit. Kuizi është pjesë integrale e emisionit dhe sjell nëpërmjet KTV-së zgjerim të njohurive të përgjithshme. Kandidatët e interesuar për t’u bërë pjesë e kuizit i drejtohen adresës së “Oxygenit” dhe përzgjidhen nga ekipi i show-spektaklit.

E në karrigen përballë show-man-it të njohur, në edicionet e kaluara janë ulur fytyrat më eminente të botës publike në Kosovë dhe më gjerë. Këngëtarë, artistë, politikanë, aktivistë e njerëz të fushave të ndryshme janë bërë pjesë e spektaklit duke ndarë në ekran me shikuesit e KTV-së eksperiencën e tyre në fushat përkatëse.

E kjo do të vazhdojë edhe në sezonin e ri.
“Sikur zakonisht, ‘Oxygen’ sjell në ekran biseda të shumta me mysafirë të zgjedhur, që nuk janë vetëm artistë të skenës, por edhe politikanë dhe njohës të sferave të ndryshme”, ka thënë Selimaj.

Ai ka porositur shikuesit e Kohavisionit që gjatë të shtunave në mbrëmje të mos e ndërrojnë kanalin.

“’Oxygen’ ofron gjithçka që i duhet një show-spektakli dhe prandaj është pranuar kaq mirë dhe mbetet në mesin e emisioneve më të shikuara dhe më të pëlqyera të KTV-së”, ka thënë ai.
Sipas Selimajt, një pjesë e rëndësishme e “Oxygenit” edhe në sezonin e ri mbetet kuizi.

“Përveçqë ofron argëtim për shikuesit, ky emision edhe këtë sezon do të vazhdojë me kuizin nëpërmjet të cilit shikuesit tanë kanë rast të mësojnë gjëra të ndryshme”, ka thënë ai.

“Oxygen” nis edhe një tjetër rrugëtim më 4 tetor. Aventura nuk ka të ndalur. E stacion mbetet kanali numër një në vend, Kohavision, që shikuesin e televizionit vazhdon ta ushqejë me “Oxygen”.

© KOHA.net

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...