Ndërron jetë akademik Besim Bokshi, varrimi të dielën në orën 17

16 Gusht 2014 - 23:57      

Akademik Besim Bokshi, ish-kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka ndërruar jetë në moshën 83 vjeçare.

Lajmin për Koha.net e ka konfirmuar profesori i katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe të Fakultetit të Filologjisë në UP, Bardh Rugova.

“Është e vërtetë se ish-kryetari i ASHAK-së, akademik Besim Bokshi, ka ndërruar jetë. Akademik Bokshi ka qenë gjuhëtari më i madh shqiptar”, kanë qenë fjalët e Rugovës.

Ndërkaq, Komuna e Gjakovës, ka njoftuar se me rastin e vdekjes së akademikut Besim Bokshi, të dielën, me datë 17.08.2014, duke filluar nga ora 15 deri në ora 17, në palestrën e sporteve “Shani Nushi” do të bëhen homazhe.

Më pas, në ora 17, varrimi i akademikut të shquar do të bëhet në varrezat e qytetit të Gjakovës.

Ndryshe, Akademik Bokshi ka lindur në Gjakovë më 12 XI 1930. Gjashtë klasë të mësimit fillor i kreu në Tiranë, ndërsa dy të tjerat - në Gjakovë. Maturoi në Gjimnazin e Prishtinës. Ndoqi studimet në Katedrën e Albanologjisë në Beograd dhe, me ndërprerje, i përfundoi më 1959. Vijoi studimet pasuniversitare në Drejtimin e gjuhësisë në Beograd. Tema e tezës së doktoratës iu dha në bazë të punimit “Zhvillimi i strukturës së temave emërore të shqipes” (Gjurmime albanologjike, 1, 1971). Mbrojti tezën e doktoratës me temë “Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes” në Fakultetin Filozofik të Prishtinës më 1977.

Ka ligjëruar lëndën e gjuhës shqipe në Gjimnazin e Gjakovës dhe në vitet 1961-63 ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të kësaj shkolle. Ka qenë profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Gjakovës në vitet 1967-73 për Morfologji të gjuhës së sotme shqipe e për Hyrje në gjuhësi dhe në katër vjetët e parë e ka drejtuar punën e kësaj shkolle. Brenda kësaj kohe për tetë muaj ka punuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Nga viti 1974 ishte zgjedhur ligjërues i Morfologjisë historike në Degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës dhe, pas doktorimit, ishte zgjedhur profesor inordinar e pastaj edhe ordinar deri kur u përjashtua nga Fakulteti më 1991 bashkë me mësimdhënës të tjerë shqiptarë nga dekanati i dhunshëm. Në vitet 1992-2001 ka ligjëruar lëndën Hyrje në studimin krahasues të gjuhëve indoevropiane në Shkallën e tretë të studimeve - Drejtimi i gjuhësisë në Fakultetin Filologjik të Prishtinës.

Ka qenë anëtar i komisionit për konkluzione të Konsultës Gjuhësore të Prishtinës më 1968 dhe delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë më 1973. Ka marrë pjesë në Kongresin e Studimeve të Evropës Juglindore në Ankara më 1978 me kumtesën për prapavendosjen e nyjës në gjuhët ballkanike. Në Universitetin e Jenës ka mbajtur ligjëratën për origjinën e mbaresave rasore të shqipes.

Para ligjëruesve të Katedrës së Gjuhës e të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filologjik të Tiranës dhe bashkëpunëtorëve shkencorë të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë ka mbajtur ligjëratën për zhvillimin e sistemit emëror të shqipes (1979).

Ka qenë deputet në Dhomën për Arsim në Kuvendin Federativ më 1967-69. Në zgjedhjet e organizuara nga subjektet tona politike më 1992 ishte zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës. Në vitet 1993-96 ka qenë kryetar i Partisë Socialdemokrate të Kosovës.

Për veprën “Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes” ka marrë Shpërblimin e Dhjetorit të Kuvendit të Kosovës më 1980.

Ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ishte zgjedhur më 1991, ndërsa nga viti 1996 ka qenë anëtar i rregullt i kësaj akademie. Më 2002 u zgjodh nënkryetar, ndërsa në vitet 2008-2011 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

BIBLIOGRAFIA

Librat e botuar:

Në pritje (Përmbledhje poezish, Jeta e re, Prishtinë, 1966. Ribotim nga Rilindja, Prishtinë, 1978. Përkthyer në serbisht nga E. Mekuli, U očekivanju, Bagdala, Krushevc, 1969. Në vitet 1981- 87 ka publikuar rreth 20 poezi në Rilindja e në të përkohshmet Fjala dhe Jeta e re ).

Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes, ASHAK, Prishtinë, 1980; botimi i dytë ASHAK, Prishtinë, 2006

Prapavendosja e nyjës në gjuhët ballkanike, Rilindja, Prishtinë, 1984; Botimi i dytë, ASH, Tiranë, 2009.

Hije të këputura (Aforizma), Dukagjini, Pejë, 1996.

Pjesorja e shqipes (Vështrim diakronik), ASHAK, Prishtinë, 1998.

Për vetorët e shqipes, ASHAK, Prishtinë, 2003.

Periodizimi i ndryshimeve morfologjike të shqipes, ASHAK, Prishtinë, 2010.

Studime dhe artikuj:

Ndryshimi i strukturës së temave emërore të shqipes, Gjurmime albanologjike, SSHF, 1, 1971-72, Prishtinë.

Postposision of Artikl in the Balkans Languages, Actes du Congrès International des Études Balkaniques et Sud-est Européennes, Ankara, 1978 (rezyme e kumtesës së lexuar).

Sur l’origine des pronoms possesifs en albanais, Recherches albanologiques, 3, 1984.

Recostitution des différentes phases relatives à la postposition de l’ article défini dans les langues balkaniques, Rechershes albanologiques, 3,1985.

Politika gjuhësore në disa vise të Jugosllavisë, Gjuha shqipe, 1, 1987, Prishtinë.

Agense shqetësuese anticivilizuese e makiaveliste, Rilindja, 16.VI. 1990. Ribotuar në veprën e M. Emërllahut Nyja shqiptare, Prishtinë, 2001.

Në 80-vjetorin e lindjes së akademik Idriz Ajetit, Studime, ASHAK, 4, 1997, Prishtinë, 1998.

Për format e diatezave, Studime, ASHAK, 4, 1997, Prishtinë, 1998.

Profesor Selman Riza, Demokracia, XI, 1999.

Hyri në zgjua të metaforave dhe u bë amëz e tyre, Jeta e re, 1, 2001.

Në 80-vjetorin e lindjes së akademik Shaban Demirajt, Studime, ASHAK, 5,6,7, 2001.

Për tri mbaresa vetore, Dardania sacra, 3, 2001, Prishtinë.

Për trajtat e përemrave vetorë, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, 19, 2002.

Në 70-vjetorin e lindjes së Fehmi Aganit, Studime, ASHAK, 8-9, 2001 – 2002.

© KOHA.net 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...