“I Ligu për mend” premierë në TKK [video]

14 Shkurt 2017 - 21:03      

Shfaqja “I ligu për mend”, e dhënë premierë mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duket se u mirëprit nga adhuruesit e teatrit.

Publiku, i cili e mbushi gjithë sallën, pati rastin të shikojë një shfaqje në dialektin gegë, gjë që ishte ndër vështirësitë kryesore të realizimit të saj.

Mirëpo, me një kastë aktorësh profesionistë si Luan Jaha, Ernest Malazogu, Ard Islami, Armend Baloku e të tjerë folës të këtij dialekti, përshtatja e tekstit të Gjergj Fishtës u bë në mënyrë të përsosur, duke ruajtur elementin historik dhe komik të veprës por njëkohësisht duke qenë i kuptueshëm për publikun, raporton Express i KTV-së.

Ngjarja sillet rreth personazhit kryesor, Tukjes, një zot shtëpie paksa i shtyrë në moshë dhe i fiksuar pas ilaçeve. Ai është i shoqëruar gjithmonë nga shërbëtori i tij, Patukja, i cili bashkë me të vëllanë paraqet një influencë të mirë për zgjedhjet e gabuara të Tukjes.

Konflikti në mes personazheve të shfaqjes paraqitet me një element të fuqishëm komik, të mbështetur nga përzgjedhja e dialektit gegë, i cili e mban shikuesin të interesuar në çdo sekondë të shfaqjes.

Personifikuesi i personazhit të Tukjes, aktori Luan Jaha, shprehet i kënaqur me punën e bërë në një afat shumë të shkurtër kohor, për të cilën gjë i falënderohet punës së bërë nga regjisori Altin Basha dhe mbështetjes se aktorëve të tjerë.

Ndërkaq, aktori Ard Islami vë në dyshim nëse duhej zgjedhur teksti i Fishtës.

Regjisori Basha përzgjedhjen e tekstit e konsideron si një hap të bërë për mbrojtjen e një vlere kulturore siç është gegënishtja.

Meqë personazhi kryesor ishte një i fiksuar pas ilaçeve, skena u bë të dukej si një barnatore. Ndërkaq, përzgjedhja e kostumeve u bë duke mos harruar që shfaqja është shkruar në vitet e '20-ta, gjithmonë duke u bazuar në fotografitë e piktorit dhe fotografit Pjetër Marubi, i cili e kishte fotografuar edhe Fishtën.

Në planet e radhës, regjisori Basha e konkretizon vetëm vazhdimin e punës shumëvjeçare me "Portokallinë" por duke mos iu ndarë punës me Teatrin Kombëtar, me të cilin premton projekt në këtë pranverë.

Pas premierës së të hënës, reprizat e para të shfaqjes do të jepen më 14 dhe15 shkurt, për t’u bërë më pas pjesë e repertorit të rregullt të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

 


“I Ligu për mend” premierë në TKK by kohanet
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...