Foto: Koha / arkivi

SHBSH në Maqedoni kërkon anulimin e Programit botues për vitin 2017

13 Shkurt 2017 - 12:56      

Shoqata e Botuesve Shqiptarë në Maqedoni përmes një reagimi ka kundërshtuar Programin botues për këtë vit.

Shoqata e Botuesve Shqiptarë njofton opinionin e gjerë, se Programi botues në Maqedoni për vitin 2017 është gati tërësisht i ngjashëm me atë të viteve të kaluara, ku nuk janë respektuar kriteret dhe vlerat e vendosura nga vetë Ministria e Kulturës, për çka kemi ngritur zërin dhe reaguar vite me radhë si SHBSH, thuhet në reagimin e nënshkruar nga kryetari i kësaj Shoqate, Abdylmexhit Saliu. Për fat të keq, pavarësisht vërejtjeve tona të mbështetura në fakte e dëshmi, nga ana e drejtuesve të Ministrisë së Kulturës dhe Komisionet përkatëse të konkursit vjetor nuk pati asnjë hap pozitiv në drejtim të përmirësimit të situatës dhe respektimit të kritereve. Përkundrazi, ajo që kemi vërejtur me këtë rast, është se Shoqata e Botuesve Shqiptarë në përgjithësi, ndërsa anëtarët e SHBSH-së në veçanti, janë “dënuar” nga Ministria e Kulturës me mosmiratimin e projekteve të tyre.

Kështu, në Programin e sivjetshëm për bashkëpunim ndërkombëtar, nga 3 kërkesat tona për të përfaqësuar vendin në panairet ndërkombëtare të librit, në Frankfurt, Stamboll dhe Paris, Ministria e Kulturës nuk ia besoi asnjërin prej tyre SHBSH-së. Habia është edhe më e madhe se këto panaire u ndahen Asociacionit të Botuesve Maqedonas (në Beograd dhe Frankfurt) dhe Lidhjes së Botuesve Shqiptarë (në Stamboll)! Përderisa Asociacioni i Botuesve Maqedonas është një subjekt krejtësisht i ri dhe me nismëtarë të diskutueshëm në aspektin e përfaqësimit të esnafit botues në Republikën e Maqedonisë, Lidhja e Botuesve Shqiptarë, në anën tjetër, favorizohet në mënyrë të pakuptimtë nga Ministria e Kulturës, kundrejt Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, që nga viti 2004, përkundër rolit krejt minor të saj në veprimtarinë botuese në gjuhën shqipe në Maqedoni. Simptomatike tejmase, sepse as njëra as tjetra shoqatë nuk e kanë dëshmuar veten si përfaqësues të denjë të veprimtarisë botuese e letrare të Republikës së Maqedonisë në panairet ndërkombëtare ku kanë marrë pjesë. E përbashkëta e këtyre dy subjekteve është që formohen me qëllim të anashkalimit të botuesve të mirëfilltë në gjuhën shqipe dhe gjuhën maqedonase në Republikën e Maqedonisë. Dallimi ndërmjet tyre qëndron vetëm në faktin që nismëtarët e Asociacionit të Botuesve Maqedonas, përmes tenderëve të kurdisur, kanë ngritur një imperi botuese me vepra të rëndësishme për kulturën dhe arsimin, me vlera të diskutueshme sa i përket kualitetit përkthyes të këtyre veprave, sidomos atyre në gjuhën shqipe, përderisa anëtarët e paktë të Lidhjes së Botuesve Shqiptarë kanë ngelur disa shtypshkronja e botues anonimusë, të cilët nuk i vëren në asnjërin nga panairet e rëndësishëm vendorë e rajonalë, me përjashtim të disa improvizimeve në formë karvanësh libri, të mbështetura sërish nga Ministria e Kulturës!

Hiç më mirë nuk është gjendja as sa i përket veprimtarisë botuese dhe financimit të projekteve nga kjo kategori, ku vazhdon avazi i vjetër i mbështetjes së shtypshkronjave dhe botuesve të panjohur apo të sapo themeluar, duke anashkaluar botuesit e mirëfilltë dhe duke shkelur kështu edhe kriteret e Ministrisë së Kulturës që kanë të bëjnë me kohëzgjatjen e veprimtarisë dhe opusin botues të shtëpive botuese aplikuese në Konkursin vjetor të Ministrisë së Kulturës.

Nisur nga ky fakt, kërkojmë nga Ministria e Kulturës që të anulojë gjithë Programin botues dhe Programin ndërkombëtar për vitin 2017. Sa i përket veprimtarisë botuese, konsiderojmë se përparësi duhet të kenë shtëpitë botuese tanimë të dëshmuara me veprimtarinë e tyre, me librat e botuar dhe me paraqitjet nëpër panairet e ndryshme vendore e rajonale. Kurse sa i takon veprimtarisë ndërkombëtare, gjykojmë që Republika e Maqedonisë duhet të ketë përfaqësues të denjë në panairet ndërkombëtarë të librit. Në këtë drejtim, SHBSH-ja tashmë është treguar një prezantues i denjë i librit dhe i vendit në këto panaire, edhe atë me një përfaqësim shtetëror në Frankfurt dhe me dy përfaqësime në Stamboll, ku kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës dhe botues maqedonas. Gjë që nuk mund të thuhet edhe për Asociacionin Botues Maqedonas dhe Lidhjen e Botuesve Shqiptarë, gjatë përfaqësimit të tyre në këto Panaire.

Për fund, si Shoqatë e Botuesve Shqiptarë e shprehim edhe indinjatën dhe shqetësimin tonë në lidhje me aksionin e fundit të Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP) ndaj njërit nga anëtarët e SHBSH-së, Shtëpisë Botuese “Logos-A”, duke e vlerësuar këtë veprim si krejtësisht të paarsyeshëm dhe të motivuar politikisht në këtë periudhë të vakuumit institucional, kundër një botuesi me histori dhe veprimtari të bujshme në vend, rajon dhe më gjerë. Për më shumë, sepse presionin dhe ndëshkimin ndaj Shtëpisë Botuese “Logos-A” e konsiderojmë si sulm mbi gjithë esnafin botues dhe kulturën shqiptare në përgjithësi. Prandaj, i bëjmë thirrje pushtetit që mos të abuzojë me institucionet e shtetit për të kënaqur manitë dhe inatet politike të individëve të caktuar që i drejtojnë ato institucione. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...