9 Shkurt 2017 - 10:21
Projekti filmik “Fusha e Mëllenjave”, me skenar e regji të Arzana Krajës e producent Besnik Krapi, është projekt i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës në vitin 2014-të. Tashmë duket se ky film ka mbledhur të gjitha forcat për të nisur me xhirime më 11 mars të këtij viti. Për të treguar më shumë në lidhje me procesin e këtij projekti, për aktorët se cilët do të luajnë dhe vendet e xhirimeve, për KultPlus, foli producenti Besnik Krapi. Ai tregoi se “Fusha e Mëllenjave”, tashmë është koproduksion në mes të Kosovës, Anglisë dhe Shqipërisë. “Ekipi i filmit është kompletuar dhe projekti është në fazën finale të paraproduksionit”, tha fillimisht për KultPlus, Besnik Krapi, i cili tutje tregoi se tashmë ngjarja e gjithë filmit nga Gjermania zhvendoset në Angli.
Syla një i burgosur politik nga Kosova pas me shume se 20 vitesh kupton se “Idealizmi” i tij politik e ka shkatërruar. Pas vuajtjeve dhe torturave deri ne kastrim, në Jugosllavinë e viteve te 80-ta, ai zhvendoset në Angli ku krijon një jetë krejtësisht të re dhe ku jeton për njëzetë vite. Mirëpo, pyetjet e shumta në mendjen e tij se çfarë ka ndodhur me të kaluarën e tij e shtyjnë që të kthehet pas më shumë se dy dekadave në Kosovë për tu përballuar me “fajtoret” e gjendjes së tij. Gjersa filmi vazhdon të trajtojë historinë e Sylës, përballjen e tij me realitetin në Kosovë dhe me shokun e tij të vjetër Shabanin, përmes këtij rrugëtimi shohim edhe një pjesë së historisë së Kosovës për periudhën e 30 vjeçarit të fundit. Se çka ndodhë kur një njeri jep gjithçka për vendin dhe idealin e tij, e pas shumë kohësh e kupton se është tradhtuar, është ajo çka “Fusha e Mëllenjave” rrëfen për 90 minuta.
“Duke marrë parasysh interesimin e producentit të njohur anglez Harvey Ascott nga Londra (producenti anglez i filmit “Shok”) për të hyre si koproducent në film dhe duke marrë parasysh vështirësitë për të depërtuar në fondet gjermane, ngjarja e filmit tashmë ndodhet në Angli”, sqaroi Krapi, i cili tutje vazhdoj të thotë se është shumë interesante dhe me rëndësi të veçantë fakti, që ekipi që vjen nga Anglia dhe 90% i ekipit nga Kosova janë po i njëjti ekip që ka punuar në filmin “Shok”.
“Ky fakt për mua si producent dhe për projektin në përgjithësi është shumë me rëndësi për shkak të profesionalizmit dhe impaktit që do ta ketë në tregun ndërkombëtar si bashkëpunimi i dytë i ekipit nga Kosova dhe Britania e Madhe, të cilët dërguan Kosovën në Oscars 2016”, theksoi Besnik Krapi.
Tashmë janë përcaktuar edhe vendxhirimet e filmit “Fusha e Mëllenjave”, ku do të jenë në fshatin Vrellë, në Prishtinë me një pjesë të konsiderueshme të filmit pastaj do të shkojnë në Londër me rreth një javë xhirim, e cila sipas producentit Besnik Krapi, do të jetë një sfidë e madhe për ta si produksion. “Shpresojmë shumë në ndihmën e kooproducentit, institucioneve tona dhe bizneseve private në Londër që xhirimin atje ta përfundojmë me sukses”, tha ai.
Në kastën e aktorëve të filmit “Fusha e Mëllenjave” do të jenë: Shkumbin Istrefi me rol kryesor, Irena Cahani, Çun Lajçi, Shengyl Ismajli, Xhevat Qorraj, Astrit Kabashi, Donat Qosja, Melihate Qena, Abdinaser Beka, Ilire Vinca, Doresa Rexha, Adem Karaga...
Ndërsa pjesë tjetër e ekipës përbëhet nga: Besnik Krapi, Harvey Ascott, Gerta Qurku (producente), James Rhodes (drejtor fotografie), Sarah Pęczek (montazhere), Trimor Dhomi (kompozitor), Vesa Kraja (art director, kostumografe), Blendina Xhema dhe Burim Arifi (skenograf) dhe Liridon Cahani (menaxher produksioni).
Krejt për fund, për KultPlus, producenti Besnik Krapi tregoi edhe planet e tij bashkë me producentin Harveyn për festivalet të cilat do ti përshtaten natyrës së projektit. “Tashmë jemi duke punuar shumë në planin për festivalet të cilat i përshtaten natyrës së projektit dhe jemi në negociata me disa kompani të mëdha distribuomi të cilat në parim kanë shprehur interesim për filmin po që përgjigjen përfundimtare do ta kemi pas draftit të parë të montazhës”, përfundoi rrëfimin për KultPlus producentin njëherësh edhe aktori i njohur kosovar Besnik Krapi.
“Fusha e Mëllenjave”, pritet që xhirimet ti përfundoj në mes të muajit prill, ku gjatë verës të vazhdoj me fazën e post-produksionit, ndërsa në vjeshtë të jetë i gatshëm për festivale. Ky film nga Qendra Kinematografike e Kosovës, është përkrahë me shumën prej 160.000 euro, ndërsa është përkrah edhe nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...