9 Shkurt 2017 - 15:03
“Berlinale”, që hapet sot (e enjte) dhe zgjat deri më 19 të këtij muaji, gjithmonë është parë si festival i vendosur politik, kështu që shumëkush është duke pritur që Trumpi do të jetë top-tema më e nxehtë në 10 ditët e ardhshme. Por Kosslick dhe ekipi i tij duan ta shmangin këtë gjë. Emri i Trumpit nuk është përmendur as në konferencën hapëse për media të këtij festivali.
“Programi ynë është mjaftueshëm një protestë”, ka deklaruar Kosslick. Dhe në të vërtetë, shumë filma që janë në program të festivalit kanë të bëjnë me politikën dhe të drejtat e njeriut, trazirat sociale dhe pasojat e globalizmit. Këta filma nuk kanë turp të bëjnë deklarata të qarta kundër përjashtimit dhe urrejtjes. Kjo gjë mund të shihet qysh në filmin që do të hapë festivalin.
Në debutimin e tij me filmin “Django”, regjisori francez Etienne Comar portretizon vitet që muzikanti i famshëm Django Reinhardt kaloi në Parisin e okupuar nga nazistët. Django Reinhardt, i interpretuar nga aktori Reda Kated, është një yll mes francezëve dhe adhuruesit e tij atje e dashurojnë ritmin e tij “gypsy”. Sidoqoftë, nazistët janë duke persekutuar anëtarët e grupit të tij etnik “Sintis”, dhe janë duke i deportuar ata nëpër kampe përqendrimi. Për një kohë muzikanti është i mbrojtur nga vetë popullariteti i tij, por kur nazistët kërkojnë që ai të shkojë në turne në Gjermani, Django Reinhardt detyrohet ta marrë një vendim shumë të vështirë. Ky film pasqyron një artist që i takon një grupi minoritar dhe vuan nga shtypja e udhëhequr nga një shtet: “Django” përballet me një konflikt klasik që mund të interpretohet si referencë e problemeve sociale bashkëkohore në shumë pjesë të botës, përfshirë edhe Amerikën e Trumpit. Konfliktet sociale do të jenë në fokus të shumicës së filmave që janë përfshirë në programin e festivalit dhe duket se do të dominojnë edhe diskutimet dhe konferencat për media. Në edicionin e këtij viti janë 18 vepra kinematografike që do të konkurrojnë për “Ariun e artë” dhe “Ariun e argjendtë”.
Filmi gjerman edhe një herë është përfaqësuar fuqishëm me Volker Schlöndorff, Thomas Arslan dhe Andres Veiel, dhe po ashtu parashihet të marrë vëmendje në shumicën e debateve që do të mbahen në 10 ditët e ardhshme.
“Perspektive Deutsches Kino”, një seri speciale që do t’u kushtohet filmbërësve të rinj, do të hapet me filmin “Back for Good” nga Mia Spengler. Kjo vepër tregon një tjetër aspekt të filmit - botët private - duke shpalosur rrëfimin për një nënë dhe dy vajzat e saj që përballen me kriza dhe konflikte të ndryshme.
Dhe natyrisht që festivali më i madh i filmit në Gjermani, që e etiketon veten dhe si festivali “me shikueshmërinë më të madhe në botë”, do të prezantojë edhe filma ndërkombëtarë, edhe në garë, edhe jashtë garës. Seksioni “Panorama”, për shembull, do të hapet me një film nga Afrika e Jugut. Në filmin e titulluar “The Wound” regjisori John Trengove i hulumton ritet e një grupi etnik të quajtur xhosa, derisa protagonistët e filmit udhëtojnë nëpër një botë të karakterizuar nga maçoizmi, agresioni dhe nga tensionet ndërmjet traditës dhe modernitetit. Ky film fokusohet në diskriminimet kundër homoseksualëve në një shoqëri të dominuar nga ritualet e burrërisë. Përveç programit me filmat që janë në konkurrencë dhe atij të titulluar “Panorama”, një seksion tjetër i “Berlinales” është “Forum”. Këtë vit në edicionin e 47-të të vet ky seksion do të hapet me një film kanadez. “Werewolf” i filmbërëses kanadeze Ashley McKenzie portretizon sfidat e një çifti të ri, tek provojnë të lirojnë veten e tyre nga qarqet e kobshme të drogës dhe të krimit.
“Werewolf” flet për njerëz të rinj që jetojnë në shekullin XXI, të zënë ndërmjet pesimizmit dhe shpresës - çështje këto që duket se po ashtu do të vihen në pah gjatë festivalit. Vizitorët e “Berlinales” mund të shohin filma edhe në seksionet e tjera si: “Generation”, “Retrospektive”, “Kulinarisches Kino” dhe “NATIVe”. Siç ndodh për çdo vit, filmbërësit e distributorët do të takohen në tregun evropian të filmit, “European Film market”, që me kalimin e viteve është rritur në mënyrë të vazhdueshme. Regjisorët e ardhshëm mund të shpresojnë të marrin këshilla nga regjisorët profesionistë dhe nga artistët. Sa i përket faktorit të glamurit, “Berlinale” nuk mund të krahasohet me Festivalin e Cannes, por një listë e gjatë e top-yjeve pritet të jenë aty, përfshirë Penélope Cruz, Catherine Deneuve, Kristin Scott Thomas, Laura Linney, Richard Gere, Ethan Hawke, Robert Pattinson, Geoffrey Rush, dhe Hugh Jackman.
Këtë vit juria kryesohet nga regjisori holandez Paul Verhoeven, i cili është emër i mirënjohur në Hollywood (për filmat si ‘Robocop’, ‘Total Recall’, ‘Basic Instinct’). Verhoeven është ai që më 18 shkurt do të deklarojë se “Ariu i artë shkon për...”. Por para se të publikohen çmimet, audienca e edicionit të 67-të të “Berlinales” do të ketë mundësinë t’i shohë rreth 400 filma të rinj, të dëgjojë deklarata politike dhe po ashtu të bashkohet në diskutime. Përpjekjet për mbylljen e kufijve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të ndikojnë në biznesin ndërkombëtar të filmave dhe në jetën kulturore në Gjermani, kishte komentuar sekretarja e shtetit gjerman për kulturë, Monika Grütters, në një intervistë me agjencinë e lajmeve DPA, pak para festivalit.
“Është e qartë që artistët jo vetëm që do të përballen me këtë çështje në ShBA, por gjithashtu me rritjen e nacionalizmit në disa vende përreth botës”, kishte thënë ajo, duke përmendur Poloninë, Hungarinë dhe Turqinë në veçanti.
“Kjo është arsyeja pse unë po e pres veçanërisht filmin hapës të festivalit ‘Django’ që fokusohet në sjelljen e artistëve në sisteme autoritare”, ka thënë ajo. Dhe Monika Grütters nuk është e vetmja që po e pret këtë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...