Ringjallja me art e bunkerit të diktatorit shqiptar

7 Shkurt 2017 - 15:01      

Los Angeles, 7 shkurt - Tuneli me gjatësi të gati dy stadiumeve të futbollit ndan zhurmën e Tiranës, kryeqytetit shqiptar, prej bunkerëve më të mëdhenj nuklearë të shtetit.

Në kohën e komunizmit, bunkeri me 106 dhoma i vendosur një kilometër mbi vargun malor që ndan Tiranën prej lindjes, ishte i njohur si “Objekti 0774”. I ndërtuar në vitet ’70, ishte dizajnuar për të mbrojtur presidentin diktator komunist shqiptar Enver Hoxha dhe oficerët e tij në rast të ndonjë sulmi bërthamor. Ky vend i ndaluar për një kohë të gjatë, për herë të parë për publikun ishte hapur nga Ministria e Mbrojtjes në vitin 2014, gjatë festimit të 70-vjetorit të çlirimit të vendit nga nazizmi.

Kishte qëndruar i hapur për vetëm dy muaj. Tani bunkeri është transformuar në “Bunk’Art”, në qendër kulturore që gërsheton artin bashkëkohor dhe ekspozitat historike për Shqipërinë e trazuar të shekullit XX, shkruan Atlas Obscura, ndërkaq e transmeton sot “Koha Ditore”. Organizata joqeveritare “Qendra Ura”, asociacion i themeluar në vitin 2008 për promovimin e kulturës dhe aktiviteteve artistike, e menaxhon këtë hapësirë, por bunkeri ende është pjesë e shtetit të Shqipërisë.

Ashtu siç thotë Eva Haxhi, menaxhere e “Bunk’Art”, “është një lloj i ‘bunkerit artistik’”. Kur hyn brenda, bën një udhëtim në mendjen paranojake të Hoxhës, i cili e udhëhoqi shtetin prej vitit 1941 deri në vitin 1985. Në fillim të viteve ’60, stalinisti i pakompromis, Hoxha, prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Nën udhëheqjen e tij, Shqipëria u bë një prej shteteve më hermetike në botë. Obsesioni i Hoxhës me pushtimin potencial nga të huajt bëri që ai të ndërtonte 700 mijë bunkerë në mbarë shtetin. Shumica prej tyre janë të vegjël, të krijuar nga betoni dhe të përshtatshëm për një ose dy persona. Shumë prej këtyre bunkerëve mbulojnë peizazhet e Shqipërisë.

Megjithatë “Bunk’Arti” masiv është ndryshe. Ishte vendi kryesor për arratisjen e Hoxhës dhe plani i tij për rezistencën. Hoxha dhe kryeministri i tij Mehmet Shehu kishin apartamentet e tyre në bunker. Secili prej tyre kishte dhomën e pritjes, zyrën, dhomën e fjetjes dhe tualetin. Po ashtu, ishte edhe një dhomë për takime të kabinetit, dhomë për bisedime të brendshme dhe dhoma e oficerit kryesor.

Shumëkush në Tiranë ende beson se rrjeti i tuneleve sekrete e ka lidhur bunkerin me rezidencat e presidentit dhe të ministrave të tij në qendër të qytetit. Por pavarësisht se sa e madhe ishte infrastruktura e fshehur, nuk u shfrytëzua për qëllimin që kishte. Hoxha vdiq në prill të vitit 1985 dhe regjimi i tij vazhdoi pak vite pas vdekjes së tij. Në fillim të viteve ’90, Shqipëria u bë shtet kapitalist: frika e madhe nga pushtimi prej të huajve mbeti e tillë dhe bunkeri asnjëherë nuk u shfrytëzua për qëllimin që ishte ndërtuar.

Megjithatë, pajisjet origjinale edhe sot janë gati të paprekura. Të gjitha mobiliet datojnë prej kohës kur është ndërtuar bunkeri: karriget, hartat e rrjepura të Shqipërisë, pastrueset e ajrit të bëra në Kinë me pesë yjet e kuqe në to. Në tavolinën e Hoxhës, një radio e vjetër gjatë tërë kohës transmeton fjalimet e tij. Shtrati i tij ende është i mbuluar me mbulesën e kuqe të krevatit. Në skajet e korridoreve, dhomat mbajnë instalacione të artit me ekspozita historike rreth vështirësive dhe shtypjen që i është bërë Shqipërisë gjatë kohës së Enver Hoxhës. Një prej tyre është shndërruar në klasë të shkollës fillore, ashtu siç kanë ngjasuar gjatë kohës së komunizmit. Një tjetër nënvizon rëndësinë e sportit gjatë atyre kohëve. Po ashtu, busti i Enver Hoxhës rri i varur në rrjetën e koshit të basketbollit. Ky është një vend për nostalgjinë dhe ironinë në “Bunk’Art”.

Dhoma kryesore e bunkerit, salla e asamblesë, është transformuar në sallë koncertesh. Muret mbajnë portretet bardhezi të Hoxhës dhe të politikanëve të tjerë të kohës së tij, ata janë të detyruar të shikojnë dhe dëgjojnë jazz-muzikë, e cila për vite ka qenë e ndaluar në Shqipëri. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...