Foto: Koha / arkiv

RTK-ja nuk bashkëfinancon filma, me gjithë rritjen e buxhetit

7 Shkurt 2017 - 11:07      

Prishtinë, 7 shkurt - Megjithëse për sivjet ka rreth një milion euro më shumë buxhet, Radiotelevizioni i Kosovës nuk planifikon të bashkëfinancojë filma ashtu siç ishte zotuar me një marrëveshje, të nënshkruar para më shumë se dy vjetsh, me Qendrën Kinematografike të Kosovës, por e cila nuk është respektuar asnjëherë.

Në njërën nga pikat e këtij dokumenti, afati i të cilit tashmë ka skaduar, shkruhet se ajo mund të ripërtërihet, por RTK-ja s’e ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë. Në anën tjetër, QKK-ja nuk llogarit më në mjetet e premtuara, shkruan sot “Koha Ditore”.

Memorandumi i bashkëpunimit me afat njëvjeçar që ishte planifikuar të hynte në fuqi në ditën e parë të vitit 2015 - e që ishte promovuar me mburrje nëpër media - ka mbetur veç në letër. Gjatë viti 2015, kur RTK-ja kishte buxhet prej 9 milionë e 700 mijë eurosh, ky institucion e kishte shkelur afatin për financim të projekteve fituese nga konkursi i Qendrës Kinematografike të Kosovës. Paratë e zotuara për t’u ndarë në emër të interesit publik dhe zhvillimit të kinematografisë nuk janë derdhur asnjëherë në xhirollogarinë e QKK-së. Sipas kësaj marrëveshjeje, RTK-ja do të duhej të alokonte mjetet më së largu deri në fund të qershorit të atij viti.

Menaxhmenti qe arsyetuar se nuk ka mjete të mjaftueshme. As gjatë vitit 2016, kur RTK-ja e ka pasur buxhetin 9 milionë e 600 mijë euro, marrëveshja nuk është ripërtërirë. Arsyetimi për moszbatimin e këtij memorandumi mbetet i njëjti edhe sivjet, ani pse buxheti i Radiotelevizionit Publik të Kosovës është 11 milionë euro.

“Memorandumi i nënshkruar ndërmjet RTK-së dhe QKK-së do të jetësohet sapo të krijohen mundësitë. Kështu thuhet edhe në nenin 1 të memorandumit”, ka thënë Bekim Shehu, zyrtar për marrëdhënie me publikun në RTK. Të njëjtën përgjigje e kishte dhënë edhe dy vite më parë.

“Në bazë të planit vjetor dhe mundësive që ka, RTK-ja merr përsipër që të financojë prodhimin e veprave filmike në lartësi prej jo më pak se 30 për qind të buxhetit të saj të planifikuar për mbështetjen/blerjen e veprave audio-vizuale”, thuhet në këtë nen. E neni 2 i Marrëveshjes përcakton që RTK-ja duhet të financojë projektet “përveç në rastet e mungesës së mjeteve financiare të dedikuara për blerjen e veprave audio-vizuale apo ndalesave të tjera të parapara me ligj”.

Sipas përllogaritjeve që kishte bërë QKK-ja, më 2015, me këtë marrëveshje buxheti i tyre do të rritej për afro 200 mijë euro. Sikur të zbatohej edhe më 2016-n do të kishte po kaq mjete më shumë.

Qendra Kinematografike e Kosovës në tetor të vitit që shkoi publikoi 16 projektet fituese të konkursit për vitin 2016.

Por, sipas Vesa Qenës, zyrtare për marrëdhënie me publikun në QKK, ky institucion më nuk llogarit në buxhetin që ua kishte premtuar RTK-ja para dy vitesh... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...