Arbëritë e Jonit që i bashkon deti dhe historia

4 Shkurt 2017 - 10:35      

Në vazhdën e punimeve të vyera të prof. dr. Pëllumb Xhufit mbi historinë mesjetare dhe moderne të shqiptarëve, shtohet edhe studimi voluminoz “Árbërit e Jonit. Vlora, Delvina e Janina në shekujt XV–XVII” - botuar Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Tiranë, 2016, 1.440 faqe - i cili përmbush një boshllëk të konsiderueshëm për historiografinë tonë.

Përmasat e këtij punimi i përshtaten më së miri historisë së pasur të këtij areali të rëndësishëm të Shqipërisë mesjetare dhe osmane.

Monografia është e strukturuar në pesë pjesë të ndara në kapituj sipas një kriteri të gjetur kronologjiko-tematik që i përshtatet më së miri edhe tematikës së trajtuar gjatë punimit, shkruan Ardian Muhaj, në numrin e sotëm të Kohës Ditore.

Pjesa e parë “Shqipëria e poshtme në mesjetën e vonë”, që i korrespondon pjesës së hyrjes, përmban informacionet e duhura për nivelin e një punimi të tillë, ku autori që në kapitullin e parë na kumton edhe mënyrën e qasjes, e cila duke shfletuar faqet e punimit mund të thuhet se përbën një risi të nevojshme në traditën tonë historiografike. Punimi nis pikërisht me orientimin dhe përkufizimin hapësinor të objektit të studimit, me një përkufizim etnogjeografik të problemit.

Boshti përreth të cilit sillet krejt objekti i studimit është një element gjithmonë i pranishëm në historinë tonë të lashtë, por i neglizhuar në traditën tonë historiografike, i munguari i madh i identitetit tonë: deti.
Është pikërisht deti Jon që e përkufizon edhe orientimin etnohapësinor të çështjes së trajtuar, është boshti që e mban dhe i jep kuptim etnogjeografik edhe Arbërive të Shqipërisë së Poshtme, ose më saktë Shqipërisë së Jonit.

Këto Arbëri të Jonit shtrihen nga Vlora, në veri, deri në Gjirin e Prevezës, në jug, me një thellësi drejt lindjes, që pak a shumë kap pikat e Beratit, Gjirokastrës e Janinës. Këto Árbëri i bashkon e i ngjiz deti Jon, por, në një kuptim më të thellë, i bashkon historia e shekujve XV-XVII. Pra boshti hapësinor i punimit janë trevat e përfshira, tërësisht apo pjesërisht, në sanxhaqet e Vlorës, Delvinës e Janinës. Ky studim voluminoz përbën një ndriçim thellësisht të detajuar dhe të dokumentuar të historisë politike, socioekonomike e kulturore të këtij areali gjeografik. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...